Agresioni rus në Ukrainë – pasojë e flirteve të Perëndimit me Putinin

Mehmet PRISHTINA

Fuqia e Putinit burimin e ka pikërisht në qasjen e Perëndimit ndaj tij dhe ndaj problemeve që mund t’i shkaktonte ai. Prandaj, është e kuptueshme pakënaqësia e presidentit ukrainas Zelensky për “vonesat e Perendimit” dhe mungesën e qëndrimit konsensual të Evropës dhe Amerikës për agresionin rus në Ukrainë. Pra, mund të thuhet se agresioni rus në Ukrainë është pasojë e flirteve të Perëndimit me Putinin

 

Deri sa po e shkruajmë këtë koment (e shtunë, paradite) sulmet ruse në Ukrainë kanë hyrë në ditën e tretë. Trupat dhe tanket ruse vazhdojnë të depërtojnë ddrejt qendrës së Kievit, por betejat po zhvillohen edhe në qytete  të tjera anembanë Ukrainës. Siç raportojnë mediat botërore, shpërthimet, të shoqëruara nga sirenat e sulmeve ajrore, jehuan gjatë gjithë natës në Kiev. Shumica e banorëve të kryeqytetit ukrainas e kaluan natën në stacionet e hekurudhës nëntokësore dhe nëpër bodrume. Zyra presidenciale raportoi se më shumë se 3,500 ushtarë rusë u vranë dhe pothuajse 200 u zunë rob. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë  thirrje qytetarëve që të mbrojnë kryeqytetin, ndërsa ushtria ukrainase ka konfirmuar se ka arritur të mbrojë bazën ushtarake pranë Kievit, e cila ishte cak i sulmeve ruse. Në të njëjtën kohë, presioni ndërkombëtar ndaj Moskës për të tërhequr forcat e saj nga Ukraina po rritet.

Zelensky – heroi të cilit po i mungon mbështetja e nevojshme e perëndimit

Pushtimi rus i Ukrainës filloi me një “blitzkrieg” me pasoja të paparashikueshme.

Atmosfera luftarake që po mbretëron aktualisht na i kujton aksionet e ngjashme të Bashkimit Sovjektik gjatë Luftës së Ftohtë kur ndërhyri me tanke në Hungari në 1956, në Çekosllovaki në 1968 dhe në Afganistan në 1979. 

Në kohën kur forcat ruse po përparonin drejt kryeqytetit, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një video para zyrës së tij, në Kiev, njoftoi mbi zhvillimet në terren.

“Ne nuk do t’i dorëzojmë armët, ne do të mbrojmë vendin tonë”, tha ai në një video të publikuar të shtunën në mëngjes, duke u kërkuar bashkëqytetarëve të tij të mos u besojnë “gënjeshtra” për dorëzimin e ushtrisë ukrainase.

Kjo deklratë e presidentit Zelensky erdhi pas thirrjes së Putinit drejtuar ushtrisë ukrainase për dorëzimin e armëve dhe për “marrjen e situatës nën kontroll”.

Kjo aventurë ushtarake e Putinit i ka detyruar shumë ekspertë perëndimor të merren me profilin psikologjik të tij, ndonëse ai, siç po shihet, është një njeri shumë misterioz që kryen veprime të paparashikueshme. Përderisa disa e shohin si një shahist të aftë në hartën politike globale, të tjerë e shohin si një aventurier që ndërmerr hapa me pasoja të frikshme.

Nëse u referohemi këtyre analizave mund të vijmë në përfundimin se në kokën e Vladimir Putinit është fiksuar rivendosja e lavdisë së Rusisë cariste. Prandaj, jo rastësisht ai e ka kritikuar disa herë revolucionin bolshevik, e cili e kishte përmbysur Rusinë cariste, kurse tani ai është i fiksuar të bëhet car i ri i Rusisë.

Putini drejton të njëtën akuzë edhe për ata që kontribuuan në shpërbërjen e BRSS-së. Sipas tij, pikërisht ky proces i ka dëmtuar në palcë “interesat vitale nacionale ruse”. Në përpjekje për të rikthyer lavdinë e dikurshme të Rusisë cariste dhe asaj sovjektike, Putini e ndërmorri këtë “operacion paqësor special” për ta “shpëtuar” Ukrainën nga ndikimi perëndimor, sidomos nga NATO dhe SHBA.

Zhvillimet dramatike në terren flasin për një plan të menduar mirë nga Putini, të cilin duket se e ka përgatitur gjatë. Por, askush nuk e ka menduar se ai do të marrë kaq shpejt vendim për ta pushtuar tërë Ukrainën.

Nga raportimet e medies ndërkombëtare mund të konkludohet se nëse do të ketë një rrethim të plotë të  Kievit dhe invadim frontal të ushtarëve rusë në vetë kryqytetin, gjë që do të shoqërohej me luftime në rrugë. Atëherë Kievi do të mbetej plotësisht i shkëputur nga bota dhe ky, fundja, është edhe qëllimi i Putinit. Kjo do ta largonte Ukrainën nga synimi për t’u integruar në NATO dhe do ta paralizonte funksionimin normal të këtij shteti.

A do ta zbrapsin Putinin sanksionet?

Duke iu referuar këtyre zhvillimeve, të cilat nga çasti në cast po bëhen më të frikshme, shumë analistë botërorë mendojnë se e gjithë kjo histori nuk do të përfundojë në Ukrainë. Nëse dikush nuk e ndalon Putinin, është vetëm çështje kohe se kur do të përhapen tendenca të tilla agresioni dhe separatizmi edhe në disa vende të tjera, paralajmërojnë analistët. Sipas tyre, pas Ukrainës mund të pritet një sulm ndaj Moldavisë, për shkak të Republikës së Moldavisë Transnistriane, e cila është vasal i Rusisë. Por, zhvillime të tilla a të gjashme nuk përjashtohen as në Ballkan.

I vetëdijshëm për fuqiinë ushtarake të vendt të tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur i gatshëm për negociata me Putinin, ndonëse ky i fundit ka thënë se “ushtria ukrainase duhet t’i dorëzojë armët” paraprakisht.

Reagimi i Perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës tani për tani është kufizuar në sanksioneve financiare e ekonomike. Asetet e shumë bankave dhe kompanive ruse janë ngrirë në SHBA dhe Europë, kurse elitës politike dhe ekonomike ruse, përfshirë Presidentin Putin dhe kryediploamtin Lavrov, u janë vendosur sanksionuese.

Nëse gjykojmë në bazë të përvojës historike, fuqitë e mëdha, siç është Rusia, nuk mund të pengohen me sanksione, sado të forta qofshin ato, për të arritur synimet e tyre invaduese, sepse në logjikën e tyre është “ndjekja e interesave thelbësore të sigurisë kombëtare”. Madje, jo pak analistë shprehen se sanksionet mund të prodhojnë pasoja të rënda edhe për vetë shtetet që i zbatojnë ato, sidomos për shtetet me ekonomi të dobët.

Për krahasim mund të merret Irani, një fuqi shumë më pak e rëndësishme se Rusia, e cila ka treguar se sanksionet mund ta dëmtojnë shumë, por japin pak efekte, përveçse kur përdoren si avantazh në negociata.

A do të funksionojë në vendet tjera formula e agresionit rus në Ukrainë?

Pasojat e pushtimit rus të Ukrainës do të jenë inkurajuese për Kinën dhe për lëvizjet e saj të ardhshme përaneksimin e Tajvanit. Referenca e Putinit “shtet artificial” për Ukrainën kujton refuzimin e shtetësisë së Tajvanit nga Kina.

Edhe Beogradi tash sa vite e përdor një formulë të tillë për Kosovën. Mbi paradigmën “pavarësia e Kosovës e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë” formësohen edhe politikat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të  cilat kanë objektiv destabilizimin e Kosovës. Dërgimi i avionëve dhe helikopterëve ushtarakë në afërsi të hapësirës ajrore të  Kosovës para dy muajsh,  kur Kosova e vendosi masën e resiprocitetit për targat e automjeteve, ishte sinjal i qartë se Beogradi nuk synon zgjidhje të çështjes, por prodhimin e një krize tjetër që do ta “legjitimonte” projektin “Kosova pjesë e Serbisë”, pikërisht siç po vepron aktualisht Putini në Ukrainë.

A do të përjashtohet Rusia nga sistemi SWIFT?

Kremlini po e shfrytëzon mungesën e konsensusit të Perëndimit lidhur me veprimin karshi agresionit rus në Ukrainë dhe tendencës për vendosje e ish-republikave tjera ish-sovjetike nën kontrollin e Moskës. Kjo po e pengon marrjen e masave efektive që do ta dëmtonin seriozisht Rusinë e Putinit.

Siç njofton Rojteri, ditëve në vijim mund të pritet përjashtimi i Rusisë nga sistemi SWIFT ((Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunication). Më e zëshmja në kǓrkesën për dëbimin e Rusisë nga SWIFT është Mbretëria e Bashkuar, ndërsa Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, hezitojnë ende ta bëjnë këtë. Përjashtimi nga sistemi SWIFT do t’i jepte një goditje të rëndë sistemit bankar të Rusisë, të cilave do t’u pamundësohej qasja në depozitat e tyre jashtë vendit.

Qeveritë e shumë vendeve kanë frikë se kjo do të dëmtonte ekonomitë dhe kompanitë e tyre, sepse do të shkaktonte ndërprerje në furnizime nga Rusia, bie fjala me naftë dhe gaz.

Gjatë një konference për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidenti rus e paralajmëroi Perëndimin se do të përballej me pasoja të rënda në rast të shgtrirjes së NATO-s në lindje. Putini thotë se Perëndimi i ka shkelur premtimet që të mos shtrihet mՃ tutje në lindje. Ai i referuar një deklarate të ish-sekretarit amerikan i shtetit, James Baker, të fillimit të viteve 1990. Sipas Putinit, SHBA ka përfituar nga dobësitë e vendit të tij dhe nga kaosi i fillimshekullit 21-të dhe e ka stimuluar zgjerimin e NATO-s në  disa ish-republika sovjetike dhe në disa vende të bllokut të lindjes, madhe edhe në kjufi me Rusinë.

Kjo është kauzë personale Putinit, jo e popullit rus

Putini në emër të mbrojtjes së “interesave ruse” në Ukrainë po e zhvillon kauzën e tij personale të pushtimit, për arsye se jo të gjithë rusët pajtohen me ligjikën militariste të residentit të tyre. Pati edhe protesta në Moskë dhe në qytet tjera që kundërshtonin pushtimin e Ukrainës nga ana e ushtrisë ruse. Në ditët në vijim mbetet të shohim se sa këta zëra do të shtohen dhe sa do të ndikojnë që tehu i politikës agresive të Putinit të topitet.

Shpërthimi i konflikti në Ukrainë, ka nxitur shumë vëzhgues dhe analistë të flasin për ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor. Emërues i përbashkët i këtyre analizave është konstatimi se pa mbështetjen e Rusisë, do të ishte e pamundur të krijoheshin trazira dhe tendim për grusht-shtet në Mal të Zi dhe të mbahet Bosnja dhe Hercegovina në një gjendje paralize të përgjithshme për dekada me radhë. Madje në Podrgoricë u zhvilluan demonstrata proruse në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë.

Pse Kosova duhet sa më parë të bëhet pjesë e NATO-s?

Eksponenti kryesor i politikës ruse në Ballkan është Serbia dhe të gjitha politikat rajonale “pro-ruse” mbështeten publikisht dhe fshehurazi nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Që nga momenti kur kriza ukrainase u intensifikua në maksimum, e më pas u shndërrua në agresion të hapur të Rusisë ndaj fqinjit të saj, mediat shkruajnë se “fronti rus” i radhës mund të jetë Ballkani Perëndimor, dhe si problem kryesor potencial dhe aktor kyç në politikën destabilizuese mund të jetë lideri i serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik.

Sipas disa parashikimeve ato vende që aktualisht nuk janë anëtarë të BE-së dhe NATO-s (Serbia, BeH, Kosova) mund të jenë cak i aksioneve destabilizuese proruse. Kur jemi te Kosova, do të duhej theksuar se ajo formalisht nuk është anëtare e NATO-s, por praktikisht për sigurinë e saj kujdeset KFOR-i. Megjithatë, kjo nuk mjafton, andaj Kosova duhet sa më shpejt të përfshihet në procesin e anëtarësimit në NATO. Ngjarjet në Ukrainë nuk lëjnë shumë hapësirë për hezitime edhe për faktin se çdo vonesë e Perendimit në marrjen e vendimeve të duhura mund të prodhojë efekte të padëshërueshme, siç po ndodhë aktualualisht edhe në Ukrainë. Nëse tani për tani destabilizimi i Ukrainës nuk po konsiderohet si kanosje e madhe për sigurinë në Europë, e njejta nuk mund të thuhet edhe për Kosovën, nëse Serbia guxon ta destabilizojë atë.

Prandaj fuqia e Putinit burimin e ka pikërisht në qasjet  joadekuate të Perendimit ndaj tij dhe ndaj problemeve që mund t’i shkaktonte ai. Nisur nga ky fakt mund ta kuptojmë edhe pakënaqësinë e presidentit ukrainas Zelensky për “vonesat e Perendimit” dhe për jounitetin e Evropës dhe Amerikës në arritjen e një qëndrimi koncenzual ndaj agresionit rus në Ukrainë. Për rrjedhojë mund të konstatohet se agresionin rus në Ukrainë e prodhuan flirtet tinëzare të  Perëndimit me Putinin

Prishtinë, 26 shkurt 2022