Agresioni rus në Ukrainë – pikë e kthesës për Gjermaninë

Kai Küstner

Politikanët gjermanë në Berlin po e pranojnë, njëri pas tjetrit, se e kanë vlerësuar gabimisht presidentin rus. Por, si do të veprohet në të ardhmen me Putinin?

 

Fundi i një epoke! Pika e kthesës! Të gjitha partitë në Berlin janë të një mendimi. Evropa do të jetë tjetër pas 24 shkurtit, ditëS kur Putin e filloi një sulm agresor të përgjakshëm kundër Ukrainës.

“Ai do t’ia dalë mbanë duke shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ai do të tregojë se demokracitë liberale nuk mbrohen, por është e kundërta”, tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock në ARD, duke folur për paketën e sanksioneve.

Qeveria gjermane po e ndjek rrugën e izolimit të Putinit dhe përjashtimin e tij nga bashkësia ndërkombëtare.

Por, kjo nuk është e gjitha.

“Ne e kemi mësuar një leksion të fortë”, tha zëvendës-kryetari i Unionit, CDU/CSU, Johann Wadephul.

“Tani të duhet të përgatitesh që marrëveshjet ndërkombëtare dhe diplomacia nuk janë gjithçka dhe se nevojitet edhe forca ushtarake”, tha ai.

Për këtë arsye, NATO zhvendos trupat e saj të ndërhyrjes së shpejtë me disa mijëra ushtarë. Bundeswehri forcon partnerët europiano-lindorë.

Kërcënimi kërkesa e momentit

Kërcënimi duket se është kërkesa imediate për momentin e ndoshta edhe për vitet e  ardhshme.

“Besoj se na duhet të përgatitemi për një konflikt  afatgjatë me Rusinë, në NATO dhe në BE. Kjo do të thotë që na duhet ta rimendojmë kërcënimin”, tha ekspertja për politikë të jashtme, Jana Puglierin, nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet e Jashtme (“European Council on Foreign Relations” – ECFR) për ARD.

Papritur ato që dikur shiheshin si ankesa folkloristike tani konsiderohen si shqetësime reale. E para: forcat ushtarake gjermane në shumë drejtime nuk u përgjigjen dot strategjisë së kërcënimit dhe detyrimet e tyre në NATO arrijnë t’i përmbushin vetëm me mundim.

Madje, ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, e vlerësoi këtë temë kaq të rëndësishme sa një intervistë që kishte përfunduar në ARD e zgjati vetë, sepse donte të fliste për Bundeswehrin.

“Kam shqetësimin se ne e kemi injoruar kaq shumë Bundeswehrin sa ajo nuk e përmbush dot detyrën e saj”, tha politikani liberal, FDP.

Ai u shpreh për shpenzime më të larta buxhetore për mbrojtjen, gjë që nuk është tipike për një ministër financash.

Më shumë presion, më pak dialog?

Nëse gjatë viteve të kaluara mënyra e veprimit me Rusinë përqëndrohej tek strategjia e dyfishtë “presion dhe dialog”, Gjermania dhe BE-ja në të ardhmen ndoshta do ta kalojnë peshoren gati të kretjtësisht në anën e presionit. Dialogu edhe më intensiv me Moskën në javët e shkuara nuk e pengoi Putinin të sulmojë fqinjin e tij. Nuk e ndaloi që disa herë ta gënjejë paturpërisht botën për planet e tij dhe të shkatërrojë për dekada rendin europian të paqes.

“Ka ardhur koha për zgjim”, thotë ekspertja Jana Puglierin.

“Nuk i pamë sinjalet e vitit 2008 në Gjeorgji, të vitit 2014, me aneksimin e Krimesë. Na duhet të mësojmë se kemi të bëjmë me dikë që qëllimet e tij i realizon me force edhe me mjete ushtarake.

Energjia: Shumë varësi nga Moska

Nga njëra anë sot ka vetëdijësim se një Rusie që e përdor të drejtën e më të fortit mund t’i dalësh ballë vetëm me forcë. Nga ana tjetër, po ashtu, po bëhet i gjithëpranueshëm qëndrimi se varësia energjitike nga Moska është shumë e madhe. Gjermania e merr nga Rusia 55% të gazit të saj. Tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për të gjetur furnizues të rinj, por edhe përmes zgjerimit të shpejtë të energjive të rigjenerueshme të bëhesh më i pavarur dhe më pak i shantazhueshëm.

Tani gjithçka është fokusuar tek mbajtja në distancë e Putinit: ekonomikisht, politikisht, ushtarakisht. Tani, kur ai i është afruar kufirit të NATO-s më shumë se kurrë.

(DW)