Beograd, 16 dhjetor 2021 – Ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Thesarit, Paul Ahern, deklaroi në Beograd se të gjithë serbët nga veriu i Kosovës që i sanksionoi SHBA-ja duhet të mbahen përgjegjës.
“Individët dhe kompanitë në cak të këtyre sanksioneve, duhet të mbahen përgjegjëse, ndërsa aktivitetet e tyre, të cilat shkaktojnë destabilitet, duhet të ndalen”, citon deklaratën e Ahernit Ambasada amerikane në Serbi.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së, më 8 dhjetor, i futi në listë të sanksioneve udhëheqësit e grupit të krimit të organizuar në Kosovë dhe kompanitë që i udhëheqin ata.
Sipas Departamentit të Thesarit, ata ushtruan veprimtari korruptive, me çka u dëmtuan qytetarët dhe ekonomia e Kosovës dhe e Serbisë dhe shkaktuan destabilitet.
“Presidenti [i SHBA-së, Joe] Biden qartazi bëri me dije se luftimi i korrupsionit është prioritet kryesor i SHBA-së. Departamenti i Thesarit do të vazhdojë t’i mbajë përgjegjës protagonistët e korrupsionit, kudo qofshin ata”, tha Ahern.
Ahern, gjatë vizitës në Serbi nga data 13 deri më 15 dhjetor, u takua me përfaqësuesit kryesorë të pushtetit dhe bizneseve, ndërsa bisedoi për tema të interesit të përbashkët, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.
Ahern do të vizitojë këtë javë edhe vende të tjera të rajonit, për t’u informuar se deri në çfarë mase kërcënojnë stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së futi në listë të sanksioneve nënkryetarin e Listës Serbe – partisë kryesore serbe në Kosovë – Millan Radoiçiq, biznesmenët nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq dhe vëllain e tij Zharko Vesellinoviq, si edhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.
Vëllezërit Vesellinoviq, Milan Radoiçiq, Zhelko Bojiq dhe Marko Roshiq thuhet se u takojnë rrjeteve korruptive të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Zyrtarët e Kosovës i kanë mirëpritur sanksionet e SHBA-së kundër grupit të serbëve nga veriu i Kosovës, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se autoritetet kompetente të vendit të tij do të hetojnë nëse ka “akuza të rënda” ndaj tyre.
(REL)