Dy avokatë të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dorëzuan një ankesë në gjykatë, ku kërkojnë shpalljen të paligjshme të kontrollit në banesën e bashkëjetueses në Hamallaj, duke pretenduar shkelje të imunitetit të tij si deputet dhe cenim të dinjitetit të bashkëjetueses.
Avokatët Henrik Ligori dhe Ardian Visha kërkuan në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalljen të paligjshme të urdhrit të kësaj gjykate për kontrollin e një banese në një kompleks turistik në Hamallaj të Durrësit, duke deklaruar se banesa në fjalë është kontrolluar në shkelje të imunitetit parlamentar të Arben Ahmetajt, ish-zëvendëskryeministër i akuzuar publikisht si përfitues nga njëri prej pronarëve të kompanive të inceneratorëve.
Avokatët pretendojnë gjithashtu se kontrolli i banesës nuk justifikohet nga shkaqe të ligjshme ndërsa akuzojnë hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit për shkelje të dinjitetit njerëzor dhe privatësisë së komunikimeve elektronike të bashkëjetueses së Ahmetajt.
Ankesa lidhet me një kontroll banese të kryer në datën 9 mars nga oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Hamallaj, me autorizim nga gjykata, në kërkim të provave në lidhje me hetimet mbi Ahmetajn.
Sipas përshkrimit të ngjarjes nga ana e avokatëve, ankesën e të cilëve në gjykatë BIRN e disponon, dy grupe me nga tre oficerë të BKH-së u ndanë, njëri grup për të shoqëruar bashkëjetuesen e Ahmetajt nga vendi i saj i punës në Tiranë për në Gjirin e Lalëzit dhe një tjetër, në pritje para banesës në Gjirin e Lalëzit.
Sipas avokatëve, gjykata ka trajtuar në mënyrë të gabuar kërkesën për kontrollin e banesës së bashkëjetueses, duke e konsideruar atë shtëpi normale, sepse fakti që bashkëjetuesi është deputet, kjo duhej t’i jepte atij imunitet nga kontrolli dhe do të duhej që prokuroria t’i ishte drejtuar parlamentit për leje. Avokatët konsiderojnë shkelje të të drejtave kushtetuese të Ahmetajt faktin që kontrolli u krye pa leje nga parlamenti.
“…Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 114 Akti, datë 08.03.2023, ka lejuar kontrollin e apartamentit ku bashkëjeton me znj. xxx, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë z. Arben Ahmetaj dhe hetuesit e BKH-së e kanë ekzekutuar atë në kundërshtim me ligjin. Lidhur me faktin se po kërkohej dhe u lejua të kontrollohej banesa ku bashkëjeton një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, si prokuroria ashtu edhe gjykata kanë qenë të ndërgjegjshme dhe kishin në zotërim dokumente provuese, ndonëse konceptin juridik “bashkëjetesë” e reduktojnë qëllimisht në “marrëdhënie të ngushta”, një term juridikisht i papërshtatshëm,” shkruajnë avokatët në ankesën e tyre.
Neni 73 i Kushtetutës së Shqipërisë i jep deputetëve imunitet nga kontrolli personal apo i banesës pa autorizim nga Kuvendi. Por duket se prokuroria dhe gjykata kanë vendosur ta konsiderojnë atë banesë të bashkëjetueses dhe jo të Ahmetajt, gjë që konsiderohet e pasaktë nga ana e avokatëve. Sipas tyre, përderi sa banesa po kontrollohej për krime të dyshuara të kryera nga Ahmetaj, atëhere ajo nuk mund të kontrollohej pa autorizim nga kuvendi.
Nuk dihet se çfarë provash mund të jenë gjetur nga BKH në banesën e kontrolluar, por në rast se kërkesa e avokatëve për të shpallur të paligjshëm kontrollin del me sukses në gjykatë, këto prova mund të jenë të papërdorshme në ndonjë proces të mundshëm kundër Ahmetajt.
Skandali i incineratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për të shpallur një emergjencë si justifikim për të dhënë koncesionin e incineratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për incineratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. Dy koncesionet e para janë konfiskuar nga prokurorët, ndërsa hetimet për incineratorin e Tiranës, më i madhi prej të treve, zyrtarisht vijojnë. Dy dyzina me zyrtarë dhe biznesmenë janë arrestuar ose janë shpallur në kërkim për çështjen, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako.