Ahmeti: Do të bisedojmë me të gjithë, përveç me ata që kanë filozofi antishqiptare

Tetovë, 8 nëntor 2021 – Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrime (BDI) ka diskutuarpër  zhvillimet e fundit në skenën politike të Maqedonisë së Veriut pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev dhe paralajmërimeve të opozitës për një shumicë të re parlamentare.

Kryetari i partisë, Ali Ahmeti, ka thënë se po zhvillon bisedime me të gjitha partitë politike me orientim euro-atlantik, por nuk ka asnjë komunikim me partitë që kanë qëndrim anti-shqiptar  dhe janë kundër NATO-s e Perëndimit.

“Unë jam në bisedime me të gjitha palët të cilat kanë për orientim qasjen euroatlantike, por jo me partitë që kanë prioritet filozofinë anti-NATO, filozofinë anti-amerikane, filozofinë anti-europiane, filozofinë anti-shqiptare, me këto s’kemi dhe s’do kemi asnjë komunikim”, ka deklaruar Ahmeti, transmeton DW.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani ka thënë se Këshilli i Përgjithshëm e ka autorizuar kreun e partisë që të bisedojë me të gjitha palët për të tejkaluar këtë krizë.

Osmani ka thënë se në tavolinë është edhe opsioni për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Duke i komentuar zhvillimet rreth formimit të shumicës së re parlamentare, Osmani i ka hedhur poshtë zërat se deputetë të partisë së tij mund t’i bashkëngjiten kësaj shumice.

(r.m.)