AIBA: Kosova duhet të trajtohet si shtetet tjera në Kampionatin Botëror në Beograd

Lozanë (Zvicër), 23 tetor 2021 – Asociacioni Ndërkombëtare i Boksit (AIBA) ka thënë se Kosova nuk duhet të trajtohet ndryshe nga shtetet tjera në Kampionatin Botëror të Boksit që do të mbahet në Beograd.

AIBA e ka bërë këtë deklaratë pasi Serbia nuk e lejoi hyrjen boksierëve të Kosovës në Serbi, për shkak të simboleve shtetërore të Kosovës .

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, AIBA ka thënë se pret që delegacioni Federatës së Boksit të Kosovës të trajtohet “jo ndryshe nga delegacionet e çdo anëtari tjetër të AIBA-s” dhe se pret që Kosova të marrë pjesë në këtë kampionat.

“Ne besojmë që të gjithë atletët duhet të kenë shanse të njëjta për të garuar dhe për të treguar aftësitë e tyre më të mira në ring. Sporti ka për qëllim të bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i lirë nga politikat kombëtare”, ka thënë AIBA.

AIBA ka thënë se është në kontakt me autoritetet serbe, në përpjekje që të zgjidhet kjo çështje.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka bëtëtë ditur se AIBA ka ofruar si zgjidhje që delegacioni i Kosovës të marrë pjesë me flamurin e AIBA-së, por Komiteti Olimpik dhe Federata e Boksit e Kosovës e kanë refuzuar këtë propozim.

“AIBA ende është në bisedime me Qeverinë e Serbisë për të bindur që Kosova të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit. Kurse, Kosovës i është kërkuar që në kampionat të marrim pjesë me flamurin e AIBA- s”, ka thënë Krasniqi

Ai ka theksuar se Kosova do ta pranojë një zgjidhje të tillë, vetëm nëse edhe shtetet tjera pjesëmarrëse në kampionat do të hiqnin dorë nga simbolet e tyre shtetërore dhe do të prezantoheshin nën flamurin e AIBA-s.

“Ne pranojmë gjithçka, nëse është e njëjtë për të gjitha shtetet. Asgjë nuk pranojmë nëse kërkohet vetëm për Kosovën. Nuk ka himn për shtetet tjera, nuk ka as për Kosovë. Nuk ka flamur për Kosovën, le të mos  ketë as për shtetet tjera. Ne marrim pjesë vetëm në kushte të barabarta”, ka thënë Krasniqi.

(r.m.)