Ak.e Shkencave: 73.3% e popullsisë e imunizuar nga COVID-19, duhet doza përforcuese e vaksinës

Akademia e Shkencave ka publikuar sot studimin për koronavirusin ku  thuhet se deri më tani janë imunizuar 73.3% e popullsisë shqiptare. Aty theksohet se nevojitet një dozë tjetër përforcuese e vaksinës për personat mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje shoqëruese.

 
 
 
 
 
 

Gjithashtu  rekomandohet vaksinimi i të rinjve mbi moshën 12 vjeç me vaksina të miratuara për këto mosha. Siç sugjerojnë të dhënat e fundit shkencore, një dozë e vetme vaksine në këto mosha duhet të jetë e mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 nëpër klasat shkollore.

Testimi serologjik i cili përcakton antitrupat e pranishëm në gjak ndaj virusit SARS-CoV-2 është një ekzaminim që jep informacion të vlefshëm mbi shkallën e imunizimit specifik të popullatës në ecurinë e Pandemisë nga COVID-19.

 

Qendra Kërkimore e Imunologjisë dhe Imunogjenetikës pranë Njësisë së Bioteknologjisë dhe Gjenetikës së Akademisë së Shkencave ka monitoruar që në 6-mujorin e parë të Pandemisë nivelin e seroprevalences se antitrupave anti SARS-CoV-2 në popullatën shqiptare.

Në të tre fazat e studimit të seroprevalencës në një kampion sinjifikativ të popullatës urbane të Qytetin e Tiranës, u aplikua e njëjta metodologji. Ne Fazën e tretë të studimit që filloi në 16 qershor 2021 deri 23 korrik 2021 u thirrën për testim 1527 banorë të moshës 20 deri 75 vjec të cilët u përzgjodhën në mënyrë krejt të rastësishme nga listat e regjistrave të mjekëve të familjes.

Seroprevalenca e përgjithshme e antitrupave IgG specifike anti S1-SARS-CoV-2 rezultoi 73.3%. Sipas të gjitha gjasave kjo përqindje pasqyron gjendjen imunitare të popullatës shqiptare pas vales se tretëtë COVID-19 që u shkaktua nga variant Alfa dhe përpara valës aktuale Delta.

Nga kjo mund të konkludojmë se aktualisht nevojitet një imunizim i shpejtë vaksinal i të paktën 20% të popullatës shqiptare akoma të pavaksinuar me qëllim arritjen e pragut të ri të imunitetit kolektiv qe vlerësohet në rreth 90% të popullatës për variantin Delta.

Për të parandaluar reinfektimet në individët e vaksinuar apo që e kanë kaluar infeksionin mbi 6 muaj përpara, diskutohet kryerja e një doze përforcuese vaksine në moshat mbi 60 vjeç, si dhe në ata me sëmundje shoqëruese imunodeprimuese. Kjo është në përputhje me rekomandimet aktuale shkencore ndërkombëtare.

Gjithashtu të planifikohet dhe rekomandohet vaksinimi i të rinjve mbi moshën 12 vjeç me vaksina të miratura për këto mosha. Siç sugjerojnë të dhënat e fundit shkencore, një dozë e vetme vaksine në këto mosha duhet të jetë e mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 nëpër klasat shkollore.

Vaksinimi i të rinjve mbi 12 vjeç t’u rekomandohet prindërve vetëm për ata të rinj që nuk e kanë kaluar infeksionin dhe sidomos për ata që kanë sëmundje shoqëruese kronike”, thuhet ndër të tjera në studim./TCH