Paris, 29 korrik 2024 – Xhudisti Kosovar Akil Gjakova nuk arriti të fitojë medalje në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, pasi në duelin e gjysmëfinales u mposht nga japonezi Soichi Hashimoto, në repesazh.
Xhudisti nga Peja që garon në kategorinë deri në 73 kilogramë në duelin e parë e mundi me Ippon kundërshtarin e tij nga Brazili, Daniel Cargni. Në duelin e dytë, ai e mposhti austriakun Samuel Gassner, po me Ippon. Në duelin e tretë, e mundi italianin Manuel Lombardo, në një luftë të fortë, në kohën shtesë “golden score”, pasi italiani i shkaktoi tri gabime.
Në gjysmëfinale, Akil Gjakova u ndesh me xhudistin nga Azerbajxhani, Hidayat Heydarov, nga i cili pësoi disfatë në “Golden Score”.
Në repesazh, ai nuk ia doli të triumfonte përballë japonezit Soichi Hashimoto, nga i cili u mposht me Waza-ari.
Me këto rezultate, Akil Gjakova u rendit i pesti në kategorinë e tij. Ky rezultat konsiderohet sukses mjaft i madh i tij, duke qenë se ai ishte i 13-të, Por, ai vetë tha se nuk është i kënaqur me këtë rezultat.
“Ishin disa luftëra të mira. Pata një performancë të mirë, por në fund ajo nuk u shpërblye ashtu siç e dëshirova”, tha ai në një prononcim për RTK-në.
Trajneri i tij, Driton Kuka, e ka cilësuar sukses të madh të Akil Gjakovës arritjen deri në gjysmëfinale. Ai ka thënë se Akili do të kthehej me medalje në Kosovë, por nuk pati fat.
“Pesë lufta të çmendura dhe të forta. Ishe në çdo element më i mirë në gjysëmfinale, por në sport ndonjëherë fati luan rolin e vet!”, ka shkruar Kuka në Facebook.
Pa medalje do të kthehet në Kosovë edhe Nora Gjakova, e cila garon në kategorinë deri 52 kilogramë. Ajo u eleminua që në xhiron e parë nga xhudistja mongoleze Enkhriilen Lkhagvatogoo.
Nora, kampione e Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”, kishte momentet të mira gjatë duelit, por u eliminuar për shkak të tri gabimeve, që në raundin e parë.
Trajneri Driton Kuka shpjegoi se Nora ishte e lënduar.
“Nora sot garoj e lënduar, por pati dëshirën edhe një herë të garoj në Lojëra Olimpike, jo për veten por për shtetin tonë, për popullin shqiptar. Por, nuk eci ashtu si menduam”, ka shkruar Kuka.
Kujtojmë se Distria Krasniqi do të kthehet nga “Parisi 2024” me Medaljen e Argjendtë.
(r.m.)