Prishtinë, 13 tetor 2021 – Policia e Kosovës njoftoi se sot ka nisur një aksion kundër kontrabandës me mallra në katër rajone të vendit: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugore dhe Mitrovicë Veriore.
Në këtë operacion, i cili është në vazhdim e sipër, po marrin pjesë njësitë e ndryshme policore.
Policia njoftoi se aksioni vjen pas hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale të Policisë dhe të Doganës së Kosovës.
Gjatë aksionit janë sekuestruar mallra të ndryshme të kontrabanduara dhe dëshmi të tjera që shërbejnë si prova materiale kundër personave dhe kompanive që janë marrë me kontrabandë.
Policia tha se, në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente, “do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale”.
Komunikata e plotë e policisë:
Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike për parandalim të veprave penale, konkretisht luftën e pa kompromis ndaj kontrabandës së mallrave, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri.
Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj.
Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor.
Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale.
Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale.
(r.m.)