Prishtinë, 12 dhjetor 2024 – Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, pas hetimeve mbi nëntë mujore, e kanë shkatërruar një grup kriminal të trafikimit të armëve, që ka vepruar në Kosovë dhe në Shqipëri.
Gjatë aksionit të policived të të dy shteve janë sekuestruar mbi 60 armë zjarri e municioine dhe janë arrestuar 14 persona të dyshuar për përfshirje në grupin kriminal. Tetë pprej tyre janë arrestuar në Kosovë (gjashtë shtetas të Kosovës dhe dy shtetas të Shqipërisë), me inicialet: V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., B.A., kurse gjashtë të tjerët janë arrestuar në Shqipëri, me inicialet E.M. E.P. A.M. G. Ll. K.M. dhe T.Sh.
Autoritetet e të dyja vendeve kanë thënë se rasti është duke u hetuar dhe janë të hapura të gjitha dyshimet, përfshirë mundësinë e trafikimit të armëve për treg ndërkombëtar apo vendor, në Kosovë dhe Shqipëri.
Në njoftim thuhet se, me urdhër të Prokurorisë Speciale, më 10 dhjetor 2024, Policia e Kosovës ka zhvilluar në teren një plan operativ, me ç’rast janë kryer urdhërkontroll në nëntë (9) lokacione pronë e të dyshuarve.
Gjatë kontrollit në Kosovë janë gjetur dhe sekuestruar: Njëzet e nëntë (29) pistoleta dhe tri (3) armë të gjata të modeleve të ndryshme të konfiskuar; Dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e pesë (2635) fishek /municion të modelit të ndryshëm; Dy automjete dhe pajisje tjera”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Ndërsa në Shqipëri janë gjetur 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fishekë të llojeve të ndryshme.
Zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë, në një konferencë për media, kanë thënë se hetimet për këtë rast kanë nisur qysh prej prillit, pasi kanë pranuar informacione se disa njerëz janë duke u marrë me import, eksport, furnizim, transportim, ndërmjetësim dhe shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.
Dy vendet kanë nënshkruar marrëveshje për krijim të një ekipi të përbashkët hetimor, ndërsa në këtë operacion, të titulluar “Çmontimi”, ka ndihmuar edhe Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EUROPOL).
(r.m.)