Aktakuza e re e Speciales: Thaçi udhëzoi Kilajn, Smakajn, Fazliun e Kuçin të ndikonin te dëshmitarët

Hagë, 6 dhjetor 2024 – Gjykata Speciale në akuzën e re të premten thotë se në periudhën 12 prill 2023 – 2 nëntor 2024 gjatë vizitave në paraburgim, Hashim Thaçi u ka dhënë informacion konfidencial për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit së Specializuar Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit

Sipas akuzës, Thaçi ka udhëzuar Kilajn, Smakajn, Fazliun dhe Kuçin të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë si dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë. 

Siç thotë akuza, Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, Fazliun dhe Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë.

Në aktakuzën e publikuar nga Specialja jepen detaje për “funksionimin e tri grupeve të Thaçit”.

Sipas saj, Thaçi në vizita u kishte dhënë informata të akuzuarve të tjerë në këtë rast se si t’i përcillnin mesazhe dëshmitarëve për të dhënë dëshmi. Aty thuhet se të akuzuarit kanë konfirmuar apo janë pajtuar me instruksionet e Thaçit për pengim të drejtësisë.

Specialja në aktakuzë i ka ndarë grupet në: Grupin “Smakaj”, “Fazliu” dhe “Kilaj”. Në të theksohet se Grupi “Smakaj” përbëhej nga ish-këshilltarët e Thaçit, Bashkim Smakaj, Artan Behrami dhe Blerim Shala. Ndërsa Grupi “Kilaj” përbëhej prej Isni Kilajt dhe Vllaznim Kryeziut dhe Grupi “Fazliu” nga Fadil e Fahri Fazliu.

Po ashtu aty thuhet se më 30 tetor 2023, në veturën e Smakajt është gjetur një dokument për dëshminë e njërit dëshmitar. Specialja ka thënë se ka gjetur materiale konfidenciale për procedurat dhe për dëshmitarët edhe në pronën e Kilajt, më 2 nëntor 2023.

Kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Kundër Kilajt, Smakajt dhe Fazliu janë ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.

Kundër Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Ish-ministri i Drejtësisë ka masën për “detyrim paraqitje”.

Kilaj, Smakaj dhe Fazliu u arrestuan të enjten, ndërsa sot (e premte) u dërguan në Hagë. Ndërkaq Hajredin Kuçit iu bastis shtëpia.

(Koha.net)