Aktakuza për sulmin në Banjskë: Si e ndihmuan Steviq dhe kompania e tij Radoiçiqin?

Prishtinë, 18 shtator 2024 – Në aktakuzën për rastin Banjska, Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon biznesmenin nga veriu, Radulle Steviq, për shpëlarje parash.

Aty thuhet se në periudhën nga 1 janari i vitit 2017 deri më 24 shtator të vitit 2023, përmes kompanisë së tij RAD D.O.O., ai e ndihmoi Millan Radoiçiqin për të fshehur origjinën e parave.

Sipas aktakuzës, të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës e ngriti kundër 45 personave më 11 shtator dhe në të cilën Radio Evropa e Lirë kishte qasje, Steviq – me vetëdije dhe përmes subjekteve të tij afariste dhe aktiviteteve ekonomike – e ndihmoi Radoiçiqin të pastronte para, duke transferuar pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme te palët e treta, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.

Më herët, Steviq dhe kompanitë e tij kanë marrë tenderë për projekte të ndryshme nga Kosova, e viteve të fundit vetëm nga Serbia.

Tenderin e fundit prej miliona eurosh e mori nga Serbia një ditë pas ngritjes së aktakuzës në Kosovë.

Në aktakuzë thuhet se Steviq ka qenë në dijeni se të ardhurat e Radoiçiqit rrjedhin nga aktivitete kriminale dhe, rrjedhimisht, ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer veprën penale “pastrim i parave”, e cila dënohet me Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit.

Dënimi për këtë vepër penale është deri në dhjetë vjet burg.

Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të binte në kontakt me Steviqin.

Sipas aktakuzës, gjyqtari i procedurës paraprake dha urdhër për arrestimin e Steviqit dhe më 20 gusht, 2024, lëshoi fletarrestimin.

Bazuar në informacionet që ka REL-i, Steviq ka kohë që nuk gjendet në Kosovë.

Kush është Radulle Steviq dhe çka dihet për kompanitë e tij?

Biznesmeni nga Zveçani, Radulle Steviq, ka dy kompani të regjistruara në Kosovë – RAD D.O.O. dhe RAD P.T.P. – ndërsa në Serbi nën emrin e tij është RAD 028.

Që nga dhjetori i vitit 2021, Steviq – ashtu si edhe Radoiçiq – është i sanksionuar nga SHBA-ja për përfshirje në krim ndërkombëtar dhe korrupsion. Kompanitë e tij në Kosovë dhe në Serbi janë, gjithashtu, nën sanksione.

Kompaninë RAD P.T.P. në Kosovë, Steviq e regjistroi në prill të vitit 2013, ndërsa në shkurt të vitit 2018 e regjistroi një tjetër me emrin RAD D.O.O.

Siç mund të shihet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, aktivitete kryesore të kompanive të Steviqit janë ndërtimi i objekteve banesore dhe punimet e tjera ndërtimore.

Në bazë të të dhënave të publikuara në portalin kosovar “Prokurimi i Hapur”, ku mund të gjenden informacione për kontratat publike në Kosovë që nga viti 2018, kompanitë e Steviqit kanë marrë rreth 5 milionë euro nga buxheti i Kosovës.

Shërbimet e kompanisë së tij i kanë shfrytëzuar kryesisht komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, që punojnë sipas sistemit të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Steviq dhe kompania e tij RAD 028, e cila është regjistruar në Serbi në janar të vitit 2014, kanë marrë miliona euro për realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore nga buxheti i Serbisë.

Steviq i fitoi edhe tenderët që nxorën kryesisht autoritetet e përkohshme komunale që funksionojnë në Kosovë nën sistemin serb.

Disa prej këtyre organeve u mbyllën këtë vit nga autoritetet e Kosovës, me shpjegimin se ato funksiononin në kundërshtim me kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.

Tenderët nga buxheti i Kosovës

Kompanitë e Steviqit fituan tenderë në Kosovë deri në dhjetor të vitit 2021, kur ai u sanksionua nga SHBA-ja.

Kështu, në gusht të vitit 2018, Komuna e Leposaviqit nënshkroi kontratë me kompaninë e Steviqit RAD P.T.P. për “rindërtimin dhe zgjerimin e ndërtesës së Administratës Komunale në Leposaviq”, në vlerë prej rreth 345.000 eurosh.

Po atë vit, kompania e njëjtë fitoi tenderin nga Komuna e Mitrovicës së Veriut për “rikonstruktimin e trotuarit dhe rrugës Ivo Llolla Ribar në veri të Mitrovicës”, në vlerë prej gati 330.000 eurosh, ndërsa rreth 325.000 euro iu ndanë për “ndërtimin e Sallës së Sporteve në Mitrovicën e Veriut – Faza II”.

Përveç tjerash, kompania RAD P.T.P. mori tenderë edhe për ndërtimin e banesave për personat e cenueshëm, për prokurimin e teknologjisë, materialeve të ndërtimit apo mobilieve.

Kompania tjetër e Steviqit RAD D.O.O. mori, po ashtu, tenderë të vlefshëm, të hapur nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Një nga kontratat më të vlefshme ishte ajo për rindërtimin e infrastrukturës së rrugës Kral Petri në Mitrovicën e Veriut, e cila u lidh në korrik të vitit 2020.

Komuna e Mitrovicës së Veriut ndau afro 700.000 euro për këto punime.

Tenderin e fundit nga institucionet që punojnë në sistemin e Kosovës, Steviq e fitoi në shtator të vitit 2021 për disa punë shtesë në rindërtimin e rrjetit të kanalizimit në Zveçan.

Tenderët nga buxheti i Serbisë

Edhe pse pas dhjetorit të vitit 2021, kur u fut në listën e zezë amerikane, nuk mori asnjë cent nga institucionet e Kosovës, Radulle Steviq vazhdoi “të ndërtonte” nëpër Kosovë me para nga buxheti i Republikës së Serbisë dhe me kompaninë RAD 028.

Sipas Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve në Serbi, Steviq siguroi të hyra prej më shumë se 8 milionë eurosh më 2022 dhe 2023, ndërsa të dhënat për këtë vit nuk janë ende të disponueshme.

Sipas portalit të prokurimit publik në Serbi, kompania RAD 028 e nënshkroi kontratën e fundit më 12 shtator me autoritetin e përkohshëm komunal në Mitrovicë të Veriut për prokurimin e materialeve ndërtimore për ndërtimin, rindërtimin, rehabilitimin dhe përshtatjen e objekteve të banimit familjar për njëzet komuna në territorin e Kosovës.

Në Kosovë janë dhjetë komuna me shumicë serbe, por serbë jetojnë edhe në mjedise që u përkasin komunave me shumicë shqiptare.

Ky tender kap vlerën e rreth 407 milionë dinarëve ose rreth 3.5 milionë euro.

Përveç kompanisë RAD, fitoi edhe kompania Beta Gradnja D.O.O. Mitrovicë e Kosovës, e cila përmendet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për rastin Banjska.

RAD 028 fitoi tenderë me vlerë gjatë gjithë këtij viti, e disa prej tyre kanë të bëjnë me ndërtimin e objekteve banesore për nevojat e personave të cenueshëm socialë, e për të cilat janë ndarë rreth një milion euro nga buxheti i Serbisë, pastaj me dekorimin e një objekti të sapondërtuar kulturor dhe arsimor, ndërtimin e një depoje, renovimin e një fasade dhe ndërtimin e trotuareve në komunën e Lipjanit, në vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, e kështu me radhë.

Në fund të korrikut të vitit 2023, Radio Evropa e Lirë raportoi se kompania RAD 028 po merrte punë të financuara nga buxheti i Serbisë në komunat në jug të Ibrit, edhe pse në disa prej tyre nuk jeton pothuajse asnjë pjesëtar i komunitetit serb.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, RAD 028 mori mbi gjashtë milionë euro nga buxheti i Qeverisë së Serbisë.

Gjatë vitit 2022, brenda dy ditësh, RAD 028 mori dy tenderë të mëdhenj nga autoriteti i përkohshëm komunal në Mitrovicë të Veriut – të financuar nga buxheti i Serbisë dhe me vlerë rreth pesë milionë euro.

Njëri kishte të bënte me kryerjen e punëve në ndërtimin e universitetit që funksionon nën sistemin e Serbisë, ndërsa tjetri me rindërtimin apo ndërtimin e objekteve në kuadër të “Qendrës Shëndetësore të Mitrovicës së Kosovës”.

Përndryshe, këto punime në Kosovë, në bazë të një dekreti të Qeverisë së Serbisë, janë të liruara nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), i cili është 20 për qind.

(Radio Evropa e Lirë)