Aktakuzë në mungesë ndaj një serbi për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Prishtinë, 24 dhjetor 2024 – Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet G.V., i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se hetimet kanë vërtetuar se gjatë luftës në Kosovë, gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale ndaj një viktime të nacionalitetit shqiptar, vepër kjo që kualifikohet si krim i luftës.

Në njoftim thuhet se aktakuza është ngritur në mungesë, pasi i pandehuri është i paarritshëm për organet e drejtësisë së Kosovës.

“Në mbështetje të neneve 234 par.2 dhe 303 par. 7 të KPP-së, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbaj gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri G.V. është i paarritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 234 i KPP-së, për ngritjen e aktakuzës në mungesë”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale e Kosovës a bërë të ditur se kjo çështje penale i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

(r.m.)

Comment

*