Aktakuzës ndaj ish ministrit Beqaj i shtohen edhe akuzat për vjedhje dhe për grup të strukturuar kriminal

Tiranë, 23 dhjetor 2024 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, i ashpërsoi sot akuzat ndaj ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish zëvendës ministrit Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësit Ilir Rrapaj, të dyshuar deri dje për shpërdorim detyre, falsifikime dhe mashtrime në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh. Prokuroria e Posaçme ngriti ndaj tyre edhe akuzat e “grupit të strukturuar kriminal” si dhe “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.

Vendimi u mor në seancën e sotme gjyqësore, teksa Prokuroria e Posaçme miratoi qëndrimet e Gjykatës, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet më 9 janar, kur do të dëgjohen të pandehurit mbi akuzat e reja.

Hetimet e nisura në vitin 2020, Prokuroria e Posaçme i përcolli për gjykim nga marsi i këtij viti, prej dhjetë muajsh, çështjen e koncesionit të sterilizimeve kirurgjikale në Gjykatën e Posaçme.

Ish ministri Beqaj po mbahet në arrest me burg për një tjetër çështje gjyqësore prej disa muajsh, ndërsa ish zëvendës ministri Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj mbahen në arrest me burg për çështjen e sterilizimeve nga vera e vitit 2023.

Ata nuk i kanë pranuar akuzat, janë deklaruar të pafajshëm dhe në deklaratat e tyre theksuan se koncesioni i sterilizimeve ka dhënë shërbim cilësor për qindra mijëra qytetarë në përputhje me standartet e BE-së.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dyshohet se llogaritjet e kostove të sterilizimit janë të fryra artificialisht, por ish ministri Beqaj ishte në dijeni të këtij fakti dhe nuk ndërhyri për t’i anulluar ato.

SPAK-u dyshon që ish ministri Beqaj nuk ndërhyri as për të shmangur konfliktin e interesit mes zëvendësit të tij dhe sipërmarrësit përfitues të koncesionit, duke i miratuar procedurat në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore.

Ish zv.ministri Klodian Rrjepaj akuzohet nga SPAK-u për shpërdorim detyre dhe mashtrim në bashkëpunim, si falsifkim dokumentash në përshtatje me nevojat e fituesve të paracaktuar. Si drejtues i komisionit për koncensionit, ai dyshohet se ka rillogaritur dhe ka ndryshuar disa herë të dhënat financiare.

Prokuroria ka thënë se ministrisë së Financave i janë paraqitur të dhëna të rreme në lidhje me numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërsa ish zv.ministri Rrjepaj ka shtuar në kostot e shërbimit mirëmbajtjen e instrumenteve, sistemeve dhe centralit të sterilizimit në vlera, që janë disa herë më të larta se ajo e blerjes së tyre të reja.

Po ashtu, sipas SPAK-ut, janë rritur dhe mbivlerësuar deri në mbi 55 për qind kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi.

Ndërsa sipërmarrësi Rrapaj dyshohet nga SPAK-u për mashtrim në bashkëpunim zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë. Ish emigranti drejtonte një kompani të vogël ndërtimesh në Umbria të Italisë, por megjithë mungesën e përvojës në fushën e shërbimeve spitalore, ai u bë pjesë e konsorciumit që fitoi koncesionin e sterilizimeve në Shqipëri përmes një shoqërie të regjistruar në Kosovë.

SPAK-u i sekuestroi Rrapajt në fillim të këtij viti paketën prej 40 përqind e aksioneve të shoqërisë “Sani Service” Shpk, shoqërinë “Investital LLC”, e regjistruar në Agjencinë e Biznesit në Kosovë, përmes të cilës Rrapaj u bë pjesë e konsorciumit që fitoi koncensionin e sterilizimit, si dhe pronat e kompanisë tjetër të tij “Globalsher”, ku ai reulton rezulton aksioner i vetëm, një apartament, 13 automjete si dhe dy llogari bankare, në njërën prej të cilave ishin depozituar mbi 285 mijë euro.

Pjesë e dyshimeve nga hetuesit është edhe mënyra se si kompanisë fituese iu dorëzua një qendër sterilizimi moderne, e cila nuk ishte vënë ende në punë, ndonëse u ndërtua nga qeveria me kredi.

Për këtë çështje janë nën akuzë për falsifikime dhe shpërdorim detyre edhe 6 persona të tjerë teknikë, pjesëtarë të komisionit të ofertave dhe të administratës publike.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*