Uashington, 14 janar 2022 – Prokurorja e qytetit të Baltimores Marilyn Mosby, u padit të enjten me akuza federale për dëshmi të rreme dhe paraqitje të kërkesave të rreme për kredi, në lidhje me blerjen e dy shtëpive të pushimit në Florida.
Zonja Mosby, një përfaqësuese e demokratëve, e zgjedhur në këtë post në vitin 2015, akuzohet se dy ka gënjyer dy herë se po vuante nga probleme financiare të lidhura me punën e saj e të shkaktuara nga COVID-19. Bazuar në këto deklarimeve të rreme ajo kishte kërkuar tërheqjen e parakohshme të një sasie prej 90,000 dollarësh nga fondi i saj i pensionit, pjesë e sistemit të pensioneve për punonjësit dhe zyrtarët e qytetit.
Në të dyja rastet, thuhet në aktakuzë, zonja Mosby citonte duke dhënë informacione të rreme, një dispozitë të ligjit federal që lejon tërheqjen në raste emergjente deri në 100,000 dollarë nga plani i saj i pensionit.
Prokurorët thanë se 41 vjeçarja Mosby, i kishte përdorur paratë, 36,000 dollarë të marra në maj të 2020 dhe 45,000 më 31 dhjetor të po atij viti, për të parapaguar shtëpitë e pushimit në Kissimmee dhe Long Boat Key të shtetit të Floridës.
Dy akuzat burojnë nga deklaratat e rreme të zonjës Mosby për vështirësi financiare të lidhura me koronavirusin, në një kohë kur ajo merrte një pagë vjetore bruto prej rreth 248,000 dollarësh, thuhet në aktakuzë.
Ndaj zonjës Mosby janë ngritur dhe dy akuza të tjera që lidhen me dhënien e informacioneve të rreme në aplikimet për të marrë kredi, duke kërkuar një total prej më shumë se 900,000 dollarësh për të blerë dy pronat në Florida.
Në veçanti, thotë aktakuza, zonja Mosby dështoi të jepte informacionin që kërkohet se ajo dhe bashkëshorti i saj kishin vonuar pagesën e taksave federale, çka u kishte rezultuar në një barrë tatimore prej 45,000 dollarësh për vitin 2020.
Zonja Mosby, e cila kandidoi për postin e prokurores si pjesë e lëvizjes “prokurorët progresivë” që premtuan të trajtojnë pabarazitë në sistemin e drejtësisë penale në vend, mori vëmendje kombëtarë në vitin 2015 kur akuzoi gjashtë oficerë të sistemit të paraburgimit për vdekjen e Freddie Grey-t, një i ri afrikano-amerikan.
Vdekja e zotit Grey, pas një dëmtimi në shtyllën kurrizore ndërsa po transportohej pa rrip sigurie në një furgon policie, çoi në trazira në ditën e funeralit të tij. Asnjë nga gjashtë oficerët e akuzuar lidhur me këtë ngjarje, nuk u dënua.
Zonja Mosby apo përfaqësuesit e saj ligjorë nuk kanë bërë ende asnjë koment mbi aktakuzat.
Sipas një deklarate të zyrës së Prokurorit të shtetit të Merilendit nëse dënohet, zonja Mosby mund të përballet me deri në pesë vjet burg për secilën nga dy akuzat për dëshmi të rreme dhe me disa dekada burg, për akuzat për informacione të rreme në aplikimin për kredi për shtëpi.
(Zëri i Amerikës)