Autoritetet amerikane ia paraqitën sot akuzat kriminale të dyshuarit për shpërthimet në mataronën e Bostonit.
Akuzat e sakta kundër Dzhokhar Tsarnaevit ishin deri vonë të paqarta. Disa analistë ligjorë thonë se ai mund të përballet me akuza federale të terrorizmit lidhur me vdekjen e tre viktimave si dhe me një akuzë vrasje që mund të ngrihet nga zyrtarët e Massachusetts-it lidhur me sulmin vdekjeprurës ndaj një polici të universitetit.
Një zyrtar i organeve të rendit tha se nëse Dzhokar Tsarnaev nuk do të ishte kapur dhe vëllai i tij nuk do të ishte vrarë, mund të ishin ndërmarrë sulme të tjera terroriste.
Komisioneri i Policisë së Bostonit Ed Davis thotë se të dyshuarit kishin armë dhe lëndë plasëse dhe ka gjasa të kishin plane për sulme të tjera përveç shpërthimit gjatë maratonës: “Kemi arsye të besojmë, bazuar në provat e mbledhura nga skena e ngjarjes, nga materiali plasës dhe mjetet që përdorën, se ata kishin plane për sulme të tjera”.
Zoti Davis foli në emisionin televiziv Face the Nation të rrjetit CBS, ku dha hollësi për gjendjen shëndetësore të të dyshuarit Tsarnaev: “Ai është në gjendje të rëndë për të qëndrueshme. Nuk kemi qenë në gjendje ta marrim në pyetje. Një ekip special i FBI-së do të vijë për ta marrë në pyetje”.
Komisioneri i policisë tha se shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje, përfshirë motivin e sulmit. Në komentet për rrjetin CBS, guvernatori i shtetit Masaçusets Deval Patrick tha se bostonasit po i kthehen rutinës. Ai tha se ka rëndësi jetike që aktivitete si Maratona e Bostonit duhet të vazhdojnë dhe amerikanët nuk duhet të bien pre e frikës.