Për ata që duan të dinë diçka me shume për të dhe shqiptaro-amerikanët e atjeshëm, ne këto ditë dimri.
Para se të bëhej territor i SHBA-së, Alaska i përkiste Rusisë, ndërsa në vitin 1867 Rusia ia shiti Amerikës për 7 milionë e 200 mijë dollarë. Në vitin 1912, asaj iu dha e drejta e vetëqeverisjes dhe më 3 janar 1959 Alaska pranohet shteti i 49-të i SHBA. Kryeqyteti i saj është Juneau, ndërsa qyteti më i madh është Anchorage.
Motoja e këtij shteti është: “E ardhmja është në Veri”. Shiu, që me shaka quhet “dielli i lëngshëm”, bie pothuajse përditë. Alaska ka një popullsi prej 740 mijë banorësh, nga të cilët 75% janë të bardhë, 15% vendas dhe 10% e popullatës i përkasin etnisë melezë. Gjuha zyrtare në Alaska është anglishtja, gjuha Yupik flitet nga vendasit.
Alaska është shtet amerikan që nuk kufizohet me asnjë shtet tjetër të Shteteve Bashkuara. Ajo kufizohet me Kanadanë në lindje, Oqeanin Paqësor në jug, detin e Beringut në perëndim, dhe Oqeanin Artik në veri. Alaska ka një sipërfaqe që e bën shtetin më të madh të SHBA për nga territori prej 1 477 277 km.²
Në vitin 1896 në Alaska u zbulua flori në masë të konsiderueshme dhe një vit më pas 50000 njerëz u dyndën drejt saj në kërkim të arit. Më pas u zbuluan edhe bakër, qymyr, platin, naftë etj. Fitimprurës është edhe peshkimi dhe tregtia e gëzofëve. Ekonomia mbizotërohet nga prodhimi i naftës, gazit natyror, dhe industria e peshkimit.Turizmi është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e ekonomisë.
Alaska ndodhet në skajin veriperëndimor të kontinentit të Amerikës së Veriut. Emri “Alaska” vjen nga rusishtja që do të thotë “kontinent”, “breg” ose “tokë e madhe”. Përafërsisht gjysma e popullsisë së saj jeton brenda zonës metropolitane të Anchorage.
Ndodhet më pak se 50 milje larg nga Rusia; lejohet me ligj gjuetija e arinjve me armë, por ta zgjosh një ari që fle për të bërë një foto është e ndaluar; temperatura më e larta është shënuar në vitin 1915, rreth 100 gradë Fahrenheit, ndërsa më e ulëta ishte në vitin 1971, – 80 gradë Fahrenheit; atje nxiret rreth25% e naftës së prodhuar në Shtetet e Bashkuara; ALASKA është i vetmi emër shteti shkronjat e të cilit ndodhen në të njëjtin rresht në tastierë; nga 20 majat më të larta në Shtetet e Bashkuara, 17 janë atje, përfshirë edhe majën më të lartë në Amerikën e Veriut, Denali.
Në Alaskë gjenden më shumë se 100 vullkane dhe fusha vullkanike; është i vetmi shtet që nuk mbledh taksën e shitjes shtetërore ose të vendosë një taksë mbi të ardhurat individuale; industria e peshkimi dhe prodhimeve të detit është rrjeti më i madh punëdhënës privat; salmoni më i madh i kapur ndonjëherë ka ndodhur në lumin Kenai të Alaskës dhe peshonte 50 kg.
Ka më shumë se 3000 lumenj dhe 3 milionë liqene; liqeni më i madh është Iliamna; ka më shumë vijë bregdetare se pjesa tjetër e Shteteve të Bashkuara, 34000 milje gjatësi; ka më shumë ujë në brendësi se çdo shtet tjetër; është shteti i vetëm që ka brigje në dy oqeane dhe një det: Oqeanin Arktik, Oqeani Paqësor dhe Detin Bering.
Zogu shtetëror i Alaskës quhet “ptarmigan”; në vitin 1897 patatet ishin aq shumë të vlerësuar për përmbajtjen e tyre të vitaminës C sa që minatorët tregtonin arin për to. Beteja e vetme gjatë Luftës së Dytë Botërore, që u zhvillua në tokën amerikane, u bë në vitin 1943, pasi japonezët pushtuan ishujt Aleutinë. Sporti kryesor në Alaskë luhet me qentë, pasi dikur përdoreshin si mënyra kryesore për transport; më shumë se gjysma e akullnajave në botë mund të gjenden në Alaskë; ka dendësinë më të ulët të popullsisë, një njeri për milje katror.
Bennie Benson dizajnoi flamurin e Alaskës në vitin 1926 në moshën 13-vjeçare, ai u bë flamuri zyrtar shtetëror pas miratimit të Alaskës në vitin 1959; të huajt zbuluan për herë të parë Alaskën në vitin 1741, kur eksploruesi danez Vitus Bering Jonassen bëri një udhëtim nga Siberia; kur dielli lind më 10 maj, nuk ulet për gati tre muaj; kur ai ulet më 18 nëntor, banorët nuk e shohin diellin për gati dy muaj; nga 10 tërmetet më të forta të regjistruara ndonjëherë në botë, tre kanë ndodhur në Alaskë; çdo vit Alaska ka rreth 5000 tërmete mbi 3.5 të shkallës Rihter.
Perimet gjigante janë të zakonshme në Alaskë për shkak të ditëve shumë të gjata në verë. Lakra ka arritur edhe me peshë 50 kg; rreth 52 për qind e popullit të Alaskës janë burra, përqindja më e lartë e çdo shteti; pjesa më e madhe e salmonit dhe gaforreve që shkojnë në Atlantikun Veriut vijnë nga Alaska; është e paligjshme të pëshpëritësh në veshin e dikujt, ndërsa të tjerët janë duke bërë gjueti në Alaskë; dy pyjet më të mëdhenj të vendit janë të vendosura në Alaskë, Tongass e Chugach; ka bimë helmuese që veprojnë nëse preken.
Po shqiptarë a ka në Alaskë, vjen natyrshëm pyetja pas kureshtjeve të mësipërme? Sa janë ata në numër? Kur shkoi atje shqiptari i parë? Me se merren ata? Si janë të organizuar?
Sinan Kamberaj, gazetar nga Kosova, ish-kryeredaktori i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, me banim në New York, sjell njoftimet e para, veçanërisht për shqiptarët e Maqedonisë Veriore që përbëjnë shumicën e komunitetit shqiptar në Alaskë. Ai shkoi atje në mars të vitit 1995. Qëllimi i udhëtimit ishte një reportazh dhe abonimet. Ishin shumë të përmalluar për të takuar shqiptarë, qofshin dhe ata që jetojnë në shtete të tjerë të Amerikës, shkruan gazetari. Dolën në aeroport dhe na pritën me shumë vetura dhe flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Na pritën bujarisht. Qëndruam vetëm tri ditë. E kishim problem se nuk u mësuam me kohën natë-ditë, dielli dukej se s’perëndonte, duhej krijuar errësirë artificiale. Sinani sjell një të dhënë: në atë kohë numri i shqiptarëve në Alaskë ishte i pakët, jo më shumë se 100 dhe gati të gjithë ishin të vendosur në Anchorage, një nga qendrat më të banuara të shtetit. Deri atë kohë askush nuk pati shkruar për ata. Tregojnë se Shqiptari i parë në Alaskë ka shkuar nga Korça dhe quhej Kosta,por ai kishte vdekur shumë kohë para se të shkonte Sinani dhe nuk ia gjetën gjurmët, veç emrin.
Në Alaskë, më pas kanë shkuar edhe përfaqësuesi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe Dio Guardi, në mesin e viteve ’90. Pas kësaj asgjë nuk u dëgjua më për shqiptarët e Alaskës, deri në fillimet e luftës në Kosovë. Pikërisht më 26 maj 1998, amerikania Stacy Sullivan, krahas të tjerave, përmendte në specialen e botuar në “The Washington Post”, edhe emrin e një shqiptari të Alaskës, Jesse Musliu, që kishte udhëtuar 12 orë me avion nga Alaska për të kontribuar për mbledhjen e fondeve në ndihmë të lirisë së Kosovës. Musliu kishte thënë se edhe shtëpinë e shiste për të ndihmuar Kosovën dhe se komunitetit të Alaskës do t’ia dëgjoni zërin. Dhe e mbajtën fjalën. Ishte komuniteti i shqiptarëve në Alaskë ai që nisi më shumë armatime drejt Kosovës, përfshi dhe prodhimet më të fundit të snajperëve.
Jesse Alias (Njazi Musliu) u kthye në Alaskë dhe iu fut punës, duke bërë për vete edhe amerikanët. Por, askush nuk foli më pas për Njaziun me shokë. Askush nuk i falënderoi për avionët e ngarkuar që andej me armë e municione, me ndihma e medikamente. Por, ata nuk u zemëruan, nuk mbajtën mëri, vazhduan të punojnë për çështjen kombëtare. Po mbetën ashtu të pazëshëm, të pafjalë.
Dhe sërish në rrjetet sociale shtrohej pyetja: A ka shqiptarë në Alaskë? Sa janë? Askush nuk përgjigjet. Vjen një moment tjetër dhe, agjencia INA, gazeta e komunitetit shqiptar në New York, “Illyria”, dhe “Shekulli” në Tiranë, në gusht 2013, publikuan një artikull për shqiptarët e Alaskës.
Beqir Sina përpiqej t’u jepte përgjigje në distancë pyetjeve rreth shqiptarëve të Alaskës, nisur nga burimet e internetit. Gazetat që e publikuan shkrimin krijonin publicitet me shqiptarët taksistë e ata që ndreqnin çatitë. Kjo sikur ua vrau pak veshin shqiptarëve të Alaskës dhe njëri prej tyre i telefonoi Televizionit më të hershëm që kanë shqiptarët në New York, prej nëntorit të vitit 1997, TV Kultura Shqiptare. Mesazhi i përcjellë ishte se shqiptarët e Alaskës nuk janë vetëm taksistë e ndreqës të çative. Ejani të na shihni!
Pronari i Televizionit, Adem Belliu, u dha fjalën se do të shkonte vetë në Alaska me ekipin e tij. Dhe ashtu bëri: më 11 shtator (2014), ekipi i TV Kultura Shqiptare, mori avionin dhe kamerat dhe pas dymbëdhjetë orë fluturim u gjendën mes shqiptarëve të Alaskës, të cilët për një javë ofruan miqësi, bujari, ngrohtësi e shqiptarizëm dhe përcollën copëza nga jeta e përditshme e treguan historitë e tyre.
Sa është numri i shqiptareve në Alaskë? Pronari i TV Kultura Shqiptare, Adem Belliu, thotë: – Njazi Musliu nga Kosova, aktivist ndër më të njohurit atje, i papërtuar dhe tepër bujar, pohoi para kamerave se jetojnë më shumë se 1200 shqiptarë dhe gjeografikisht ata përfaqësojnë të tëra trojet shqiptare pasi aty kanë shkuar nga Shqipëria, Kosova, shumë nga Maqedonia dhe më pak nga Mali i Zi.
Adme Belliu thotë se, mes shqiptarëve të Alaskës ndjehesh tepër i respektuar. Por ata janë lënë jashtë vëmendjes të shteteve nga vijnë, larg diasporës shqiptare, larg vendlindjeve, edhe pse kanë dhënë shumë kontribut, veçanërisht financiar dhe material. Ata u ndjenë tepër të vlerësuar para kamerës të Televizionit Kultura Shqiptare. Njazi Musliu, më i njohuri mes tyre, ishte fare i palodhur. Ai la punët e veta, bizneset dhe u bë bashkëshoqërues në filmimet nëpër komunitetin shqiptar të Alaskës. Ai ishte i njohur në tregtimin e makinave dhe kishte disa dyqane shitjesh, ku kishte punësuar shqiptarë, madje dhe studentë.
Shqiptarët e Alaskës janë të integruar në jetën e shtetit të Alaskës dhe kanë arritur suksese befasuese. Ka ndër ata pronarë restorantesh me emër, pilotë, inxhinierë nafte, mësues, hotelierë, taksistë etj. Në përgjigje të pyetjes se sa është numri i shqiptarëve në Alaska, nuk ka vend për hamendje, janë 1280 shqiptarë nga të gjitha trevat, shumica nga Maqedonia (Struga, Kërçova dhe Dibra), por edhe nga Kosova, e Shqipëria (Fieri, Durrësi, Shkodra dhe Tirana). E pohojnë statistikat që ka vetë komuniteti shqiptar i atjeshëm.
Shqiptari i Strugës, Ylber Ferhati, një ndër 40 diamantet e Alaskës, i bërë shumë i njohur në Alaskë me një histori tepër interesante personale dhe familjare. Ai ishte student në Prishtinë në vitet ’80-të, kur nisën demonstratat studentore dhe ndodhej në ballë të demonstruesve. Humbi dhe vëllain atje, pengu i shpirtit të tij dhe familjes. Një dhimbje që ia ka plagosur shpirtin. Kujtimet që sjell rreth demonstratave janë me aq detaje sa të krijohet përshtypja se sapo i ka përjetuar, jo 34 vite të shkuara. Ai tregon se emigroi këtu nga që toka e vendlindjes nuk e mbajti dot. Iku që andej ngaqë kurthet, intrigat, rreziqet i kishte përherë mbi krye. Veçse atdheun, kombin shqiptar e do fort edhe këtu në Alaskë. Kontributet për të i ka të shumta.
Pati ardhur në Amerikë më 25 gusht të vitit 1985. Kur e sheh se sa popullor është, sa i respektuar ndjehet në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe sa i suksesshëm, të krijohet ideja se ka lindur këtu, në Alaskë. Në restorantin e tij, Fiori D’Italia, me emër dhe kuzhinë italiane (nuk mungojnë as ushqimet shqiptare), klientela është e madhe. Restorantin e hapi që në shtator 1986. Prej natyre bujar e human, Ferhati ka shtruar më shumë se njëmijë darka e dreka pa pagesë për amerikanët, kryesisht në ditët të shënuara, si Thanksgiving, por jo rrallë ai ka ftuar edhe personalitete të larta të politikës dhe shtetit amerikan, kongresistë e senatorë, guvernatorë, politikanë lokalë, duke ua shpërblyer atyre në mënyrë simbolike kontributin për përkrahjen e çështjes shqiptare. Ka një Pllakë mirënjohje të veçantë në restorant, dhuruar nga Batalioni Ushtarak 297 Amerikan. Vetëm për ushtarakët Ferhati ka shtruar rreth 300 dreka e darka falas. Këtë e ka bërë në mirënjohje të kontributit amerikan në Kosovë.
Për suksesin e tij, gazeta e Biznesit në Alaskës e ka shpallur restorantin e Ylber Ferhatit si një ndër 40 Diamantet e Alaskës. Gazeta kanë përcjellë historinë e tyre familjare dhe suksesin. Ka një jetë tepër të suksesshme ky atdhetar i përkushtuar. Dikur Ferhati hapi dhe një shkollë shqipe në Alaskë. E ka peng atë shkollë. Ishte viti 1987 kur e hapi. I mblodhi bashkatdhetarët e trojeve amtare dhe u tha: vëllezër, fëmijët tanë po asimilohen, na duhet një shkollë shqipe ku të mësojnë gjuhën shqipe. Janë rreth 30 fëmijë të moshës 7 deri 12 vjeç.
Bashkatdhetarët ia miratuan idenë e hapjes së shkollës.
-Po mësues? – pyetën ata.
-E gjej unë, – tha Ylber Ferhati dhe mori në telefon të atin mësues që jetonte në shtetin e Connecticut: – Eja baba, t’u japësh mësim shqip vajzave dhe djemve shqiptarë këtu në Alaskë.
I ati nuk ia bëri fjalën dysh.
– Po Abetaret dhe librat e tjera? – pyetën bashkatdhetarët.
– I gjej unë, – tha Ferhati dhe me miqtë e tij dërgoi fjalë në Tiranë dhe ia sollën librat. E hapën shkollën me 28 nxënës. Gjithçka shkonte mirë. Fëmijët po përparonin, por të rriturit ua prishën rregullsinë e mësimit. Futën një tavolinë bilardoje në shkollë. Ferhati u tërhoqi vëmendjen: – O shkollë, o bilardo, të dyja s’bëhen bashkë. Dikujt i mbeti qejfi. Kryeviti shkolla u mbyll. Tash po flitet prapë që të rihapet shkolla.
Në një kënd të restorantit Ylber Ferhati ka ekspozuar shumë pllaka me çmimet që ka fituar, fotografi të shumta me kongresistë, senatorë, guvernatorë, me drejtues të shtetit, artistë, sportistë të njohur, ka aty edhe fotografi të sukseseve të fëmijëve të tij, veçanërisht të djalit të vogël, Artanit në Washington, që ka qenë i pranishëm në shumë takime e ceremoni, deri në ato të presidentit, dhe ka dalë në fotografi me politikanë të rangjeve të larta të Amerikës. Edhe me djalin e madh krenohet Ylber Ferhati.
Ai është një biznesmen i shkathët që ka lidhje biznesi në Europë dhe Amerikë. Ka në restorantin e tij edhe një përmendore në miniaturë të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ia sollën pesë studentë të Shqipërisë që studionin në Sofje të Bullgarisë, të cilëve ai u mundësoi punë gjatë verës në Alaskë, kur ata kishin ardhur me vizë-studenti. Ylberi Ferhati i ndihmoi të strehoheshin dhe të punësoheshin. Kur erdhën verën tjetër i sollën Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Amerikanëve përherë u tërheq vëmendjen dhe Ferhati ua shpjegon bëmat e Heroit Kombëtar.
Në rrëfimin e tij Ferhati përcjell mall mërgimtari.
– Shikoni, thotë, nuk janë emigrantë ata shqiptarë që jetojnë në New York, New Jersey, Chicago, Michigan apo në Boston. Jo! Emigrantë jemi ne që jetojmë në skaj të botës, në akullnajat e Alaskës, pa mundësi komunikimi fizik me të tjerët, ndërsa ata janë bashkë në gëzime e hidhërime, bëjnë dasma e aktivitete. Zëre se janë në vendlindjen e tyre.
Ylber Ferhati është dhe nismëtar e drejtues i shoqatës humanitare “Nëna Tereza”. Ka bërë shumë punë të mira në shërbim të shqiptarëve. Me anë të kësaj shoqate ai ka dërguar ndihma, medikamente dhe pajisje të shumta mjekësore, veçanërisht në Kosovë. Ky njeri i mirë me shpirt human ka sakrifikuar për t’i ndihmuar çështjes kombëtare. Ai ka punuar një vit falas në Providencë Alaska Medical Center. Veçse ky vullnetarizëm i dha frytet e veta. Shoqata humanitare “Nëna Terezë” në Alaskë, e drejtuar nga Ylber Ferhati, pati ndihmën e shumë amerikanëve, përfshi dhe mjekëve.
Tregon një rast të kohës së luftës, kur një mjeku amerikan, që ndjek shëndetin e tij e kishte pyetur: – Si po shkon puna në Kosovë, z. Ferhati?
– Vështirë e kemi, por po luftojmë. Po përcjellim ndihma, ilaçe, para, armë, ç’mundim, – i qe përgjigj Ferhati.
Mjeku i kishte thënë se i duhej pak kohë që të zbriste deri në kat të parë dhe do të kthehej shpejt.
Pas 5 minutash ishte kthyer me një zarf me dollarë, që i kishte tërhequr nga automati prej llogarisë së tij dhe i kishte thënë: – Merri këto, ua dhuroj për Kosovën, nëse nuk të duhen ilaçe, blej plumba për luftëtarët e lirisë.
Ndërsa pako të mëdha me ndihma shoqata ka mbledhur edhe nga amerikanët. Ferhati tregon se, shqiptarët e Alaskës kanë dhënë shumë ndihma, por një falënderim ende s’ka mbërritur në adresën e tyre. Ne, thotë ai, kemi nevojë për një fjalë të ngrohtë, nuk duam përmendore. A e dini ju se një person i vetëm nga Alaska ka dërguar 1 milion dollarë ndihma në vendlindje? …
Pastaj u tregon edhe për ndonjë mashtrues, që e heq veten patriot, që kishte shkuar mes shqiptarëve të Alaskës për të kërkuar ndihma.
– Përse i do? – e kishin pyetur shqiptarët e Alaskës.
– Ndihma vëllezër për Universitetin e Tetovës. Ju e dini se maqedonasit na e kanë me hile dhe nuk na lënë të shkollojmë bijtë dhe bijat tona. Po nuk ndihmuat ju, Universiteti mbyllet. Dhe i mblodhën shqiptarët e Alaskës, jo pak por 45 mijë dollarë.
Më pas nuk dëgjuan asnjë fjalë në Alaskë, i morën apo jo? Për falënderim nuk bëhet fjalë.
Telefonuan në Universitet një pedagog që e kishin të tyre dhe pyetën nëse kishte shkuar ndihma e nisur prej tyre. Pedagogu i historisë shkoi dhe pyeti Rektorin: – Jo i tha ai, s’ka ardhur gjë.
I mori për vete mashtruesi i shitur si patriot, thotë para kamerës Ferhati dhe tund kokën mendueshëm: Ka dhe të tillë! Zot na ruaj prej tyre!
Ka dhe një pasion të veçantë ky shqiptar strugan, e do shumë artin, muzikën, këngën. Mbledh të pasionuarit pas muzikës dhe ka krijuar një shoqëri muzikore në Anchorage. Tri herë në javë kjo shoqëri muzikore jep koncerte në publik. Kushtet ua krijon Y. Ferhati.
Shqiptaro-amerikanët e këtij shteti thonë se jetojnë në qetësi, sepse sipas tyre, Alaska është vend i qetë dhe i rehatshëm për të jetuar. Para ka mjaft, kuptohet për ata që punojnë. Një banor shqiptar i Alaskës thotë se, vendlindja sigurisht na mungon, por shkojmë ç’do verë dhe e shuajmë sadopak mallin. Sa për vend i largët, nuk është edhe aq. Ndoshta është, por nëse e krahasojmë me udhëtimin që bëjnë shqiptarët nga Texas-i, Arizona, California dhe Florida, është gati njëlloj. Udhëtimi me aeroplan prej Alaske në Europë zgjat deri në 9 orë.
Në ç’do festë bëhen organizime, për të gjithë shqiptarët, sidomos për Ditën e Flamurit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë festohet nga hera dhe mbledh pothuajse të gjithë shqiptarët e Alaskës, pa dallime fetare, bindje politike, apo krahinore.
Shumica e shoferëve të taksive në Alaskë janë emigrantët, prej tyre më shumë shqiptarë. Qyteza Bethel në Alaskë është quajtur kryeqyteti i taksive në Amerikë, thuhet se “ka më shumë taksistë se sa banorë”. Bethel me një popullsi prej 5800 banorësh, ka 93 shoferë taksish. Shoferët e taksive kalojnë shumicën e kohës së tyre në rrugë: “Kjo është ajo që unë bëj çdo ditë, që turistët dhe banorët të shkojnë në qarqet e tjera”, thotë taksisti shqiptar Bilal Selmani. Çdo orë, çdo ditë, çdo muaj, vajtje e ardhje për tridhjetë vjet unë jam me këta njerëz”, thotë Selmani duke qeshur. “Taksitë lëvizin ditën dhe natën, nëpër mjegull, furtunë dhe mes të ftohtit deri në – 40 gradë. Shoferët kanë një kohë të gjatë që punojnë dhe në qytet, ua dinë emrat ose adresën, thotë një shofer tjetër shqiptar që quhet Xhemal Saliu, por që këtu e njohin si Jay Saliu.
Shefqet SALIU