Tiranë, 25 nëntor 2024 – Shqipëria e ka përfunduar paraqitjen e saj në Kampionatin Ballkanik 2024 të boksit në Lloznica të Serbisë.
Përfaqësuesja kuqezi u paraqit në këtë kampionat nga nëntë boksierë, të cilët konkurruan në kategoritë për të rritur (2), për të rinj (2) dhe për juniorë (5).
Alban Beqiri arriti edhe një tjetër sujkses të madh, duke u shpallur për herë të dytë në karrierë kampion i Ballkanit, duke triumfuar në kategorinë e peshave 71 kg.
Beqiri, i cili mban edhe rezultatin më të lartë ndërkombëtar në historinë e boksit shqiptar, si i vetmi medalist në një botëror për të rritur, tregoi një formë të shkëlqyer duke fituar tri duele në Ballkanik, për t’u shpallur kampion.
30-vjeçari kuqezi kaloi me sukses ndeshjen e parë, duke mposhtur kundërshtarin serb Igor Rogiç, më pas vijoi me fitore dhe mbyllje te parakohshme kundër boksierit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Anis Aliut. Më tej në finale gjeti ukrainasin Matiakubov, nën-kampion bote dhe kampion Europe. Beqiri i mbylli llogaritë që në raundin e dytë, duke merituar medaljen e artë, për të ngjitur flamurin e Shqipërisë në shkallën më të lartë të podiumit.
Alban Beqiri u shfaq shumë i lumtur me rezultatin dhe paraqitjen e tij në Ballkanik.
“Jam shumë i lumtur që për herë të dytë në kampionatin Ballkanik të boksit për të rritur arrita rezultatin më të lartë pas atij të vitit 2021, duke i risjellë Shqipërisë një medalje ari për vitin 2024 dhe në prag të festave të 28-29 nëntorit. Jam shumë krenar që e ngre flamurin tonë kombëtar në Loznica të Serbisë, sërish në një periudhë kaq të rëndësishme për ne”, u shpreh boksieri i Tiranës, citon Panorama.
Në kategoritë e seniorëve shkëlqeu edhe Kris Bushi, i cili fitoi medalje argjendi në peshat 63.5 kg.
Në kategoritë e moshave të reja, rezultatin më të mirë e arriti Besian Karaj, i cili fitoi medalje ari, duke u shpallur kampion i Ballkanit në kategorinë e peshave 71 kg, kurse Stiven Xixi fitoi medalje bronzi në peshat 54 kg.
Në kategorinë e juniorëve, Kristian Jubani fitoi medalje argjendi në peshat 48 kg, ndërsa Riduan Gashi (66 kg), Jurgen Lazri (63 kg) dhe Ardit Deliu (50 kg) fituan medalje të bronzta. Jurgen Tresa doli I pesti në kategorinë deri 70 kg.
(r.m)