Albanologë nga Tirana, Prishtina e Shkupi angazhohen për strategji të përbashkët veprimi

Shkup, 14 nëntor 2021 – Pas Shkodrës, Shkupi sot në vigjilje të “Ditëve të Alfabetit”mblodhi albanologët shqiptarë në përpjekjen për të miratuar një strategji të përbashkët bashkëpunimi.

Prof dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH, prof.dr. Luan Përzhita, rektor i ASA (Tiranë) dhe prof.dr. Hysne Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik (Prishtinë) u dakorduan që të finalizojnë përgatitjet për një takim përmbyllës në Tiranë, më 15 dhjetor, në kuadër të Ditëve të Albanologjisë, ku do të nënshshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit në mes të tri qendrave tona albanologjike.

Bashkëpunimi institucional në fushën e albanologjisë është i domosdoshëm për arsye se sfidat janë të shumta kurse ato mund të tejkalohen vetëm me një bashkërendim të mirëfilltë të projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta, u konstatua në këtë takim që u mbajt në ITSHKSH, në Shkup

Abanologjia si fushë nuk është e pa lëruar, por është mjaft  e copëzuar, falë qasjes së gabuar ndaj saj, ku për pasojë ka ndodhur që për një temë a figurë të njëjtë të organizohen konferenca të shumta albanologjike në Tiranë e Prishtinë.  Kjo është edhe arsye që në të ardhmen të evitohen këto dobësi dhe të përqendrohen kuadrot e albanologjisë në ato aktivitete e projekte që do të jenë fryt i një bashkërendimi paraprak.

Në takimin e sotëm në Shkup u dakordua shpallja e një kalendari të aktiviteteve të përbashkëta për vitin e ardhshëm, kurse si pikë kryesore në atë kalendar do të jetë shënimi i 50 vjetorit të Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Albanologjia e mijëvjeçarit të ri- do të jetë sfida kryesore e qendrave tona albanologjike në Tiranë, Shkup e Prishtinë dhe, siç u tha në këtë takim, ITSHKSH është një tregues i ndryshimeve të qasjes ndaj albanologjisë, i cili po luan një rol të rëndësishëm në adaptimin e albanologjisë kushteve e rrethanave të reja globalizuese. Në këtë drejtim u përmend Konferenca e Ballkanologjisë e cila organizohet tash e  pesë vite, në të cilën, siç potencoi drejtori Asani, ITSHKSH është dëshmuar me projekte konkrete në adaptimin e studimeve albanologjike fushave të tjera të përafërta, siç është Ballkanologjia, ku me pjesëmarrjen e tyre kanë qenë aktiv studiues të ndryshëm nga rajoni dhe Evropa. Prandaj, me të drejtë, siç u nënvizua në këtë takim, ITSHKSH po cilësohet si qendra e studimeve ballkanologjike në gjuhën shqipe gjithë rajonin.

Takimi i sotëm në Shkup është përpjekja më serioze e vendosjes së bashkëpunimit dhe koordinimit shkencor në fushën e albanologjisë në korniza të mirëfillta institucionale.

(e.a.)