Albanologu rus Rusakov: Lufta e Rusisë në Ukrainë është luftë kriminale

Shën Petersburg (Rusi), 3 mars 2022 – Alexander Rusakov, profesor në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shën Petërsburgut në Rusi e cilëson si akt kriminal agresionin e Rusisë në Ukrainë.

“Mendimi im dhe mendimi i shumë miqve të mi është se kjo është një luftë kriminale”, ka thënë profesori Ruskov, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Është një luftë agresive kundër një shteti më të vogël që nuk paraqet asnjë rrezik për Rusinë”, ka  shtuar ai

Ruskov ka thënë se opinioni në Rusi është i ndarë lidhur me agresionin rus në Ukrainë.

“Është një shumicë, për fat të keq, që i përkrahë veprimet e Qeverisë (së Rusisë) sepse ata e shikojnë dhe dëgjojnë televizionin (rus) dhe i besojnë propagandës. Propaganda thotë se gjithçka do të jetë mirë. Por, është edhe një pakicë që (…)kuptojnë se kjo është një luftë kriminale kundër popullit miqësor ukrainas, kundër popullit që është shumë i afërt me popullin rus. Pothuajse të gjithë rusët kanë të afërm dhe miq në Ukrainë, kanë lidhje gjaku në Ukrainë. Unë, për shembull, jam pjesërisht ukrainas”, ka thënë ai.

Ruskov ka thënë se në Rusi kanë nisur të ndjehen qysh tash pasojat e sanksioneve të Perëndimit, por ka shprehur bindjen se këto  pasoja do të jenë shumë të rënda për shtetasit rusë.

“Mendoj se ky është vetëm fillimi dhe ne do t’i ndiejmë pasojat e këtyre sanksioneve në kohën që vijon”, ka thënë ai.

Profesori Rusakov ka thënë se situata në Rusi është shumë e paqëndrueshme dhe është vështirë e përceptueshme se si do të jetë ajo pas pakkohësh.

“Askush nga ne nuk e di dhe nuk mund të përfytyrojë se si do të zhvillohet situata më tej”,ka thënë albanoligu rus, Rasakov.

(r.m.)