Tiranë, 1 mars 2023 – Ish-zyrtarja e lartë e Kryeministrisë, Alda Klosi, dhe pastruesja e saj, Rozeta Dobi, janë ballafaquar ditën e sotme në Prokurori, për të dëshmuar lidhur me origjinën e parave të gjetura në shtëpinë e zonjës Dobi.
Të dyja kanë mbajtur të njëjtën linjë me dëshmitë e dhëna më parë gjatë rrëfimit të sotëm dhe, pas përfundimit të deklaratave, ato janë drejtuar sërish në ambientet e burgut.
Mësohet se Alda Klosi ka dalë duke qeshur nga Prokuroria dhe ka përsëritur se në shtëpinë e saj janë vjedhur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, për të cilat ajo dyshon se autore është pastruesja Rozeta Dobi.
Njësoj siç kishte deklaruar më herët, ajo është shprehur se paratë që i kishte mbajtur në shtëpi ishin të xhaxhait të saj për kurimin e tij, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë pak kohë pas ngjarjes.
Ndërsa për 500 mijë eurot e tjera të gjetura në tubin e aspiratorit në shtëpinë e pastrueses Dobi, ka thënë se nuk ka dijeni dhe se nuk ka disponuar ndonjëherë shuma kaq të mëdha parash.
Por, pastruesja Rozeta Dobi ka dëshmuar se 500 mijë eurot ishin të ish-zyrtares Alda Klosi dhe, sipas saj, vjedhja ishte e inskenuar nga të dyja zonjat, pasi, sipas saj, paratë ishin lënë në ruajtje të saj nga vetë Klosi.
Spas saj, e gjithë kjo skemë u bë me qëllim që Alda Klosi ta akuzonte ish-burrin e saj me të cilin kishte përplasje.
Ndërkohë vazhdojnë hetimet për zbardhjen e origjinës së parave.
Alda Klosi pritet të dalë para gjykatës të hënën, për të kërkuar një masë më të lehtë sigurie.
(Sipas Panorama.al)