Lugano (Zvicër), 5 korrik 2022 – Në përfundim të konferencës dyditore për rindërtimin e Ukrainës, e cila u mbajt në Lugano të Zvicrës, liderët e afër 40 shteteve aleate e nënshkruan një deklaratë që përfshin parimet për mbështetjen e rindërtimit të Ukrainës, i cili pritet të jetë i gjatë dhe i kushtueshëm.
Nënshkruesit e deklaratës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Japoninë, e dënuan fuqishëm agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe i bënë thirrje Moskës që të tërheqë trupat e saj pa vonesa.
Presidenti i Zvicrës, Iganzio Cassic, i cili e kryesoi konferencën bashkë me Ukrainën, tha se nënshkrimi i deklaratës është “hapi i parë kyç në rrugën e gjatë të rimëkëmbjes së Ukrainës”.
“Puna jonë na përgatit për kohën pasi të përfundojë lufta edhe pse lufta ende po vazhdon”, tha ai, në ceremoninë mbyllëse të konferencës.
“Kjo duhet t’u japë njerëzve në Ukrainë shpresë dhe siguri se ata nuk janë vetëm”, shtoi ai, citon Radio Evropa e Lirë.
Nënshkruesit e deklaratës i mirëpritën zotimet për të ofruar ndihmë politike, financiare dhe teknike dhe i lansuan Parimet e Luganos, për të udhëhequr përpjekjet e rindërtimit, i cili, sipas Kievit, do të kushtojë deri në 750 miliardë dollarë.
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, tha se deklarata e nënshkruar “është fillimi i procesit të gjatë”.
“Ne duhet që çdo gjë që është shkatërruar ta bëjmë më mirë se ç’ka qenë më herët”, tha ai.
Në Parimet e Luganos thuhet se “procesi i rimëkëmbjes duhet të kontribuojë për përshpejtimin, thellimin dhe zgjerimin e përpjekjeve të Ukrainës për reforma dhe të jetë në përputhje me rrugën evropiane të Ukrainës”.
“Procesi i rimëkëmbjes duhet të jetë transparent dhe të ketë llogaridhënie”, thuhet në dokument.
Po ashtu, thuhet se procesi i rimëkëmbjes duhet të jetë “gjithëpërfshirës, duke përfshirë barazinë gjinore” dhe në dokument bëhet thirrje që Ukraina të rindërtohet “në një mënyrë të qëndrueshme”.
(Sipas REL)