Aleksa Beçiq shkarkohet nga pozita e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi

Podgoricë, 7 shkurt 2022 – Kuvendi i Malit të Zi të hënën në mbrëmje e shkarkoi Aleksa Beçiqin nga pozita e kryetarit të Kuvendit.

Për shkarkimin e Beçiqit votuan 43 deputetë të opozitës dhe të koalicionit Bardh e Zi, ndërsa kundër shkarkimit votuan 36 deputetë të shumicës së deritashme parlamentare.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, detyrën kryetarit të Kuvendit do ta ushtrojë nënkryetari i derisotëm Strahinja Bulajiq, nga Fronti Demokratik (FD), partia që aktualisht e ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvend.

Shkarkimi i Beçiqit u inicua nga partitë opozitare. Iniciativa e cila u dorëzua më 21 janar u nënshkrua nga 38 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, Partisë Boshnjake, Socialdemokratëve të Malit të Zi, Partisë Socialdemokrate dhe Koalicionit Shqiptar “Njëzëri”.

Shkarkimi i tij vjen pas shkarkimit të Zdravko Krivokapiqit nga pozita e kryeministrit të Malit të Zi.

Fronti Demokratik i Krivokapiqit, që konsiderohet si parti pro-serbe, nuk arriti të mbajë shumicën parlamentare pas mosmarrëveshjeve me Koalicionin Bardh e Zi dhe me nismën qytetare URA. Këto dy subjekte e morën pëlqimin e partive të komuniteteve pakicë për formimin e qeverisë së pakicës, të propozuar nga kryetari i URA-s, Dritan Abazoviq.

Partia Demokratike e Socialistëve i dha mbështetje rrëzimit të qeverisë së Krivokapiqit dhe deklaroi mbështetjen për qeverinë e pakicës, me kusht që vendi të mos dërgohet menjëherë nëzgjedhje të parakohshme.

Koalicioni i deritashëm tre anëtarësh (Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA) ka qeverisur Malin e Zi prej dhjhetorit të vitit 2020. Por, prejse është formuar, kjo shumicë është përballur me grindje midis partnerëve të koalicionit – atyre pro-serbë dhe pro-evropianë – gjë që ka çuar në humbjen e mbështetjes.

(r.m.)