Aleksandër Biberaj: Pavarësia e Kosovës është fitorja më e madhe e kombit pas 28 Nëntorit 1912

Nënkryetari i Frymës së Re Demokratike,  flet për gazetën “Illyria”

 

Nga Denion Ndrenika

Nënkryetari i Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj i tha gazetës “Illyria” se pavarësia e Kosovës është fitorja më e madhe e kombit shqiptar pas pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912: “Atë që padrejtësisht na e mori historia 100 vjet përpara po na e rikthen tani. Dhe, është një moment i rëndësishëm që shqiptarët në Ballkan, pra në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, të jenë një faktor paqeje dhe stabiliteti, por edhe një faktor vendimarrës për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan”.
Sipas zotit Biberaj, nacionalizmi shqiptar ka qenë patriotizëm dhe kurrë problem për ndokënd: “Unë përfitoj nga rasti për t’i bërë thirrje lidershipit politik shqiptar kudo që të jenë në Ballkan, që të jetë shumë i kujdesshëm lidhur me retorikën nacionaliste, e cila krijon probleme në marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë partneri ynë strategjik dhe me vendet kryesore të Bashkimit Europian. Ne kemi qenë dhe jemi komb patriot, ndërkohë që ne kemi vuajtur pasojat e nacionalizmit ekstrem të fqinjëve tanë, qoftë të sllavëve, qoftë të grekërve”.
Ish-deputet i PD-së së kryeministrit Berisha, zoti Biberaj theksoi se shqiptarët dinë “të respektojnë kombet e tjerë” dhe se “kjo duhet të jetë e ardhmja”: “Natyrisht, ne kemi mundësi për të fuqizuar rolin e shqiptarëve në Ballkan”.
Zoti Biberaj u pyet se cili ishte sipas FRD-së theksi i të quajturës “retorikë nacionaliste” në Shqipëri: “Në qoftë se bëhet fjalë për faktorizimin e shqiptarëve, krijimin e një tregu ekonomik të shqiptarëve në Ballkan, për lëvizje strategjike që presupozon bashkimin e shqiptarëve, patjetër që duhet të jemi në sinkron me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet kryesor të Bashkimit Europian, pasi janë këto vende që bënë të mundur pavarësinë e Kosovës, demokracinë në Shqipëri dhe natyrisht fitimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës”-tha ai. Më pas, Biberaj shtoi se “të drejtat e shqiptarëve janë sot shumë më mirë se sa kanë qenë përpara dy dekadash”, ndonëse pohoi se “mbetet shumë për t’u bërë” dhe se “çdo arritje ka dy vektorë rezultantë pozitivë”: “Ka vektorin e politikës shqiptare, i cili duhet të jetë shumë më i organizuar, shumë më i sinkronizuar, shumë më patriot dhe natyrisht me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian”.
Mirëpo, zoti Biberaj fajësoi qeverinë e kryeministrit Biberaj për qëndrime nacionaliste të pavërteta: “Dua të bëj një diferencë mes qëndrimeve nacionaliste në teori dhe praktikave për patriotizmin. Ne kemi sot një qeveri në Shqipëri, e cila fatkeqësisht ka 8 vjet që nuk ka treguar asnjë elemnt të politikave patriotike. Pronat e shqiptarëve po u shiten qarqeve antishqiptare, vendi mbetet i varfër, qytetarët mbeten të varfër, nuk kemi një përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare. Kështu që, po ta shikojmë nga realiteti ky është një qëndrim antipatriotik. Natyrisht, kjo klasë politike që vjen nga sistemi i kaluar komunist, në gjirin e së cilës ka ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe ish-bashkëpunëtorë të agjenturave të huaja, nuk mund të bëhet fjalë që të ketë qëndrime patriotike. Shqipëria ka nevojë për rotacion politik, Shqipëria ka nevojë për një rotacion elitash, në mënyrë që në drejtimin e kombit të jenë qytetarë shqiptarë, intelektualë që janë patriotë, që e duan vendin dhe popullin e tyre. Jo, si kjo klasë politike që mesa duket e urren popullin e vet dhe nuk ka asnjë lloj dashurie për vendin e vet, por vetëm dashurinë për ta shitur vendin e vet për interesa ekonomike të klaneve të caktuara”.
Zoti Biberaj kritikoi ndërkaq një seancë të së premtes së kaluar të Kuvendit, që sipas tij, u organizua qëllimisht nga shumica që “kryeministri të mbajë një fjalim nacionalist”.