Aleksei Navalny dënohet me 19 vjet burgim

Moskë, 4 gusht 2023 – Një gjykatë në Moskë e shpalli fajtor politikanin opozitar, Aleksei Navalny, duke e dënuar me 19 vjet burgim nën akuza që lidhen me ekstremizëm për shkak të Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit (FBK).

Navalny është duke e vuajtur një dënim prej 9 vjetësh burgim.

Ai dhe aleatët e tij kanë thënë se akuzat për të cilat u dënua të premten, më 4 gusht, janë të motivuara politikisht.

Gjykata e shpalli fajtor 46-vjeçarin në bazë të gjashtë neneve të Kodit Penal rus, përfshirë edhe  krijimin dhe financimin e një komuniteti ekstremist, thirrje për ekstremizëm, rehabilitim të nazizmit dhe përfshirjen e minorenëve në akte të rrezikshme.

Autoritetet ruse më 2021 shpallën fondacionin e Navalnyt organizatë ekstremiste dhe ia ndaluan të gjitha aktivitetet në Rusi.

(REL)