Moskë, 22 gusht 2022 – Alexander Dugin, e ka cilësuar si akt terrorist të ukrainasve vrasjen e vajzës së tij, Darya Dugina.
E ndjera Dugina u vra të shtunën në mbrëmje, në shpërthimin e automjetit me të cilin po udhëtonte, në periferi të Moskës.
Dugin, ideolog ultra-nacionalist rus, i cili është mbështetës i fuqishëm i agresionit rus ndaj Ukrainës, ka thënë se ai e pa me sytë e tij vdekjen tragjike të vajzës së tij, derisa po kthehej nga festivali i Traditës, pranë Moskës.
Ai ka thënë se dëshiron jo vetëm hakmarrje për të bijën, por edhe “mposhtje” të Ukrainës.
“Ajo ishte një vajzë e bukur ortodokse, një patriote, një reportere lufte dhe eksperte e mediave. Fjalimet dhe raportimet e saj kanë qenë gjithmonë të thella, të bazuara dhe të përmbajtura. Ajo kurrë nuk bëri thirrje për dhunë dhe për luftë. Armiqtë e Rusisë e vranë tinëzisht. Ne duam jo vetëm hakmarrje, por edhe t’i mposhtim ata”, është shprehur Dugin.
Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) ka thënë se Darya Dugina është vrarë nga shërbimet ukrainase të inteligjencës.
“The Guardian” shkruan se nuk ka mund të verifikojë akuzat e FSB-së.
Ukraina ka mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e saj në këtë ngjarje.
Mediet ruse raportuan se me automobilin që shpërtheu e pastaj u përfshi nga zjarri do të udhëtonte Aleksander Dugin, por me atë automobil udhëtoi vetëm e bija, Darya.
(r.m.)