Alfred Lela: Gjykata duhet të njohë vullnetin e shumicës që kanë votuar për Berishën

Uashington, 27 dhjetor 2023 – Gjykata e Lartë e Shqipërisë, të mërkurën, e ktheu në rishqyrtim në Gjykatën e Apelit kontestin mes grupimit të Partisë Demokratike që drejtohet nga ish-Kryeministri Sali Berisha, dhe atij të Lulzim Bashës, për “vulën” e Partisë Demokratike.

Ky vendim u cilësua si fitore e pjesshme e ish-Kryeministrit Berisha, por zëdhënësi i PD-së që drejtohet nga Berisha, Alfred Lela, tha se ky vendim nuk është ai që duhet të jetë.

Lela tha për Zërin e Amerikës se vendim i drejtë për PD-në dhe për demokracinë në Shqipëri është vetëm njohja e vullnetit të 600 mijë qytetarëve që kanë votuar më 14 maj për PD-në e udhëhequr nga Berisha.

Lela foli dhe mbi aksionin opozitar të mosbindjes civile, të inicuar nga PD-ja e Berishës. Kritikët thonë se opozita nuk është në gjendje ta shfrytëzojë pakënaqësinë e qytetarëve, pasi ajo po merret me problemet ligjore të zotit Berisha.

Por, Lela e hodhi poshtë këtë opinion. Ai tha se opozita po përballet me represionin që ushtrojnë ndaj saj kryministri Edi Rama dhe sistemi i drejtësisë, duke theksuar se ky sistem është vënë në shërbim të Ramës.

Sipas tij, një nga treguesit e lidhjes mes Ramës e sistemit të drejtësisë është kërkesa e Prokurorisë së Posaçme që masa e sigurisë “arrest shtëpiak” ndaj ish-kryeministrit, të shoqërohet edhe me “mbikëqyrje policore”.

Lela tha se qëndrimet e disa kritikëve se Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet me zotin Berisha kryetar janë pjesë e projeksionit që ka e mbjellë kundërshtari politik. Ai tha se “faktet e tregojnë të kundërtën”.

Lela theksoi se rikthimi i Berishës në krye të Partisë Demokratike ishte i domosdoshëm, në kushtet kur në Shqipëri ende nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme.

(r.m.)