Alfred Peza dorëhiqet nga drejtimi i televizionit publik

Tiranë, 6 shtator 2024 – Një vit pas zgjedhjes së kontestuar në krye të Radio Televizionit Publik Shqiptar, Alfred Peza ka dhënë dorëheqjen të premten nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm.

Dorëheqja u konfirmua nga kryetari i Bordit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo, i cili i tha BIRN-it se në letrën e dorëheqjes Peza nuk jep arsye për largimin, por  vendimi është i parevokueshëm.

Zgjedhja e Pezës në drejtimin e televionit publik u kontestua për shkak të së shkuarës së tij politike, ish-deputet dhe sekretar i Marrëdhënieve me Median për Partinë Socialiste deri në shtator 2021.

Gjatë qëndrimit të krye të RTSH-së, ai është përballur me kritika për shkarkime masive nga puna të gazetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni.

Në fund të qershorit gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Median dhe Edukimin, Peza u prit me kritika nga deputetët, pasi RTSH nuk kishte zbatuar asnjë prej rekomandimeve të lëna nga Kuvendi.

Sipas raportit parlamentar, RTSH ka problematika me shkarkimet dhe emërimet në punë si dhe rënien e të ardhurave apo paqartësi në përdorimin e tyre, por Peza u mbrojt se largimet nga puna ishin bërë sipas ligjit me qëllim rritjen e performancës së televizionit.

Kryetarja e këtij komisioni, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, e cilësoi dorëheqjen e Pezës si  një “çlirim” të RTSH-së nga paligjshmëria.

“Çlirimi i RTSH është një fitore e vogël e një beteje për ligjshmëri,” shkruajti Zhupa në Facebook.

Transmetuesi publik është në teori një institucion politikisht i pavarur, por bordi drejtues zgjidhet nga parlamenti, ndërsa drejtori ekzekutiv zgjidhet nga bordi. Anëtarët e bordit aktual janë zgjedhur kryesisht nga votat e Partisë Socialiste. Peza nuk iu përgjigj një kërkese për kompent të BIRN.

(Reporter.al)