Prishtinë, 23 tetor 2023 – Deputetja britanike Alicia Kearns, e cila po qëndron në Kosovë, ka folur rreth sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Në një intervistë për Kallxo.com, zonja Kearns ka thënë se një shtet i jashtëm është duke kryer hetime për sulmin.
“Me sa kam kuptuar njëra prej shteteve të jashtme është duke bërë vetë hetim dhe kjo do të bëhet publike, dhe natyrisht Qeveria e Kosovës është duke e zhvilluar hetimin e vet po ashtu. Qeveria e Kosovës do të shohë drejtësi, do t’i shohë njerëzit në gjyq, si dhe ata që e kanë mbijetuar sulmin, ata që kanë humbur por edhe ata që kanë qenë dëshmitarë e meritojnë ditën në gjyq ku Millan (Radoiçiq) duhet me qenë aty në gjyq duke dhënë llogari”, ka thënë ajo.
Por, ajo nuk ka dhënë më shumë detaje për hetimin.
“Nuk jam e sigurtë a është kjo e ditur publikisht, kështu që do të përmbahem prej komentimeve të mëtutjeshme lidhur me këtë”, është shprehur ajo.
Zonja Kearns ka kujtuar se disa herë e ka tërhequr vërejtjen për rrezikun e eskalimit të situatës në Kosovë dhe ka shtuar se gjatë vizitës në Kosovë ka dashur t’i shohë armët që janë konfiskuar në pjesën veriore të vendit.
“Jam shumë e brengosur, e di që është duke u zhvilluar hetim lidhur me atë që ka ndodhur me 24 shtator, por desha të shoh me sytë e mi çfarë armësh janë gjetur saktë, sidomos pasi unë kisha alarmuar shumë përpara që kjo do të ndodhë. Gjithashtu, kam pasur dëshirë të takohem me familjen e policit të vrarë. Pata privilegjin të mirëpritem në shtëpinë e tyre dhe që m’u dha rasti t’u shpreh ngushëllime për babain e tyre që është vrarë”, ka thënë deputetja britanike.
Ajo ka thënë se armët e konfiskuara në pjesën veriore të Kosovës pas sulmit në Banjskë janë armë ushtarake të prodhuara në Serbi kohët e fundit.
“Ato janë armë të rënda ushtarake dhe kanë mbishkrim serb. Këto nuk janë armë të kohës së Millosheviqit, nuk janë armë të vjetra. Disa janë, por grantat janë të vitit 2021. Përveç kësaj, kjo nuk është një sasi e vogël e armëve që mund ta sigurojë një grup i krimit të organizuar. Këto janë armë të nivelit ushtarak, shumë serioize, të cilat nuk janë për kriminalitet të nivelit të ulët. U ndava mjaft e brengosur nga ajo që pashë”, ka thënë ajo.
Më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit u krye një sulm terrorist nga një formacion paraushtarak serb. Në këtë sulm u vra Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, një pjesëtar tjetër i policisë u plagos dhe një tjetër u lëndua.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Kosovës, e cila veproi në vetëmbrojtje, u vranë tre pjesëtarë të gruupit të armatosur serb. Të tjerët, pasi u barrriikadan disa orë në Manastirin e Banjskës, u larguan për në Serbi, rrugëve malore.
Pas sulmit, Policia e Kosovës gjeti dhe sekuestroi sasi të mëdha armatimi dhe pajisjesh ushtarake në objektet e manastirit e në zonën përreth. Ndër të tjera, policia i sekuestroi edhe dy automjete të bliduara, 24 automjete të tjera të ndryshme, një arsenal të madh armësh e municionesh të kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, granata, mina kundër këmbësorisë e mjete të tjera shpërthyese, si edhe pajisje të tjera ushtarake e mjete logjistike.
Përgjegjësinë për sulmin në banjskë e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet dhe kontrollohet nga Beogradi zyrtar. Radoiçiq, e mori përgjegjësinë pasi Policia e Kosovës publikoi prova të pakontestueshme se ai ishte në mesin e pjesëtarëve të grupit terrorist në Banjskë dhe se përgatitjet e grupit për sulm janë bërë në pronat e tij në Kopaonik.
Policia e Kosovës publikoi edhe pamje nga stërvitjet e grupit terrorist në poligonin e stërvitjeve të ushtrisë së Serbisë, në zonën kufitare me Kosovën.
(r.m.)