Alon Ben-Meir: Vuçiq është i vendosur të minojë pavarësinë e Kosovës

Nju jork, 26 dhjetor 2022 – Profesori amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, Alon Ben-Meir, themelues i Qendrës për Zhvillim Strategjik, e ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për tensionet në pjesën veriore të Kosovës.

Ben-Meir, në një postim në Twitter, ka thënë se Vuçiqi po përpiqet të minojë pavarësinë e Kosovës.

“Presidenti i Serbisë Vuçiq është i vendosur të minojë pavarësinë e Kosovës dhe për këtë ai po i përdor komunat veriore të Kosovës të populluara nga serbët, në të cilat ka konflikt interesi për arritjen e objektivit të tij”, ka shkruar Ben-Meir.

Të dielën në mbrëmje në pjesën veriore të Kosovës ka ndodhur edhe një incident i armatosur. Persona të armatosur, tash për tash të paidentifikuar, kanë shtënë me armë zjarri pranë një patrulle të KFOR-it që po vëzhgonte situatën pranë një barrikade të vendosur nga serbët në afërsi të Zubin Potokut.

Para disa ditësh, EULEX-i kishte njoftuar se në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë pare individë e grupe personash të maskuar e të armatosur.

Autoritetet e Kosovës e akuzojnë Beogradin zyrtar se, me përkrahjen e Rusise, po nxisin dhe mbështesin grupet kriminale në pjesën veriore të Kosovës.

Prej 6 dhjetorit, grupe të serbëve kanë vendosur barrikada në rrugët që shpien drejt vendkalimeve kufitare me serbinë, Jarinjë e Bërnjakë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish-pjesetari të Policisë së Kosovës, të dyshuar për sulme ndaj zyrave të komisioneve të zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Beogradi ka shtruar kushte të tjera për heqjen e barrikadave. Kryesorja prej tyre është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe me fuqi ekzekutive, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës së kosovës.

(r.m.)