SHBA: Shqipëria i përket BE-së, negociatat e anëtarësimit të fillojnë sa më shpejt
️Knid Ndrenika
Ambasadorja amerikane Juri Kim tha në Tiranë se Shtetet e Bashkuara besojnë që procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në përparimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, si dhe rrit stabilitetin dhe kontribuon në zhvillimin e popujve të rajonit.
Komentet i shpërfaqi në fejsbuk ambasada amerikane në Tiranë pas takimit të zonjës Kim me kryetaren e Komisionit Kuvendar për Integrimin Europian, Jorida Tabaku dhe Nënkryetaren Etilda Gjonaj.
“Pak gjëra janë më të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë sesa integrimi i saj në Europë”-komentoi ambasada amerikane.
Ambasadorja Kim dhe drejtueset Tabaku nga Partia Demokratike opozitare dhe Gjonaj nga Partia Socialiste qeveritare diskutuan mbi Progres-Raportin e Komisionit Europian për vitin 2021.
Ambasada amerikane theksoi se Progres-Raporti vëren se “Shqipëria “vazhdon të përmbushë kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe… përparoi në mënyrë të qëndrueshme në rrugën e reformës së Bashkimit Europian”, si dhe fushat të cilat kërkojnë vëmendje të mëtejshme”.
Po ashtu ambasada shkruajti se Presidenti Xho Bajden dhe Sekretari Entëni Blinken “kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara besojnë me forcë se Shqipëria i përket BE-së dhe se negociatat e anëtarësimit duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Sipas njofdtimit të ambasadës, zonja Kim mirëpriti vendosmërinë e Komisionit për të forcuar llogaridhënien mbi veprimet e qeverisë, për të informuar publikun dhe për të përshpejtuar përparimin drejt përmbushjes së standarteve të Bashkimit Europian, përfshirë sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, masat kundër korrupsionit dhe pastrimit e parave në përputhje me rekomandimet e Task Forcës për Veprim Financiar (FATF), dhe reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it.
Shtetet e Bashkuara, sipas ambasadores Kim, do të vijojnë të mbështesin me forcë përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, e cila – ashtu si përpjekja e suksesshme e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO – është një qëllim i rëndësishëm strategjik që kërkon kontributin e ideve dhe përpjekjeve nga të gjitha palët.