Ambasada amerikane kritikon shkarkimin e bordit drejtues të RTK-së

Prishtinë, 9 korrik 2021 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar të premten ndaj vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e Bordit Drejtues të transmetuesit public të Kosovës, Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Në reagimin e ambasadës amerikane nuk i referohet shprehimisht shkarkimit të Bordit Drejtues të RTK-së, por i vendimit për shkarkimin e “një bordi tjetër” që u mor mor nga Kuvendi të enjten. 

Ambasada e cilëson “të vakët” arsyetimin e propozimit përshkarkimin e këtij bordi dhe thekson se emërimet në sektotrin publik duhet të bëhen në bazë të meritave, ndërsa shkarkimet duhet të bëhen në bazë të dëshmive transparente.

“Dje, Parlamenti i shkarkoi anëtarët e një bordi tjetër publik me një justifikim të vakët. Ndërsa kosovarët meritojnë përgjegjësi, shkarkimet duhet të bazohen në dëshmi transparente, ashtu sikurse që emërimet duhet të bazohen në merita.

Shkarkimet e njëanshme të nxituara i dëmtojnë institucionet publike dhe nuk i adresojnë problemet strukturore. Reformat efektive afatgjata kërkojnë një qasje të mendusr metodike duke vënë në rend të parë interesat e Kosovës dhe duke lënë anash politikat partiake”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Të ejnten, Kuvendi  i Kosovës i shkarkoi anëtarët e Bordit Drejtues të Radio Televizionit të Kosovës, me propozim të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal. Në arsyetimin e propozimit për shkarkim flitet për “shpenzime të mëdha” dhe për “rritje të pakontrolluar të numrit të punonjësve” të transmetuesit publik.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës ishin kundër shkarkimit të Bordit Drejtues të RTK-së. Ato e vlerësuan këtë vendim të Kuvendit si përpjekje për vendosjen e kontrollit mbi transmetuesin public.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, që nga marrja e detyrës, i ka shkarkuar bordet drejtuese të disa ndërmarrjeve publike.

(r.m.)