Prishtinë, 8 prill 2025 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka publikuar të martën, më 8 prill, një historik të shkurtër të marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
Në tekstin shoqërues të histotrikut, të publikuar në profilin e ambasadës në Facebook, kujtohet se Zyra e SHBA-së në Prishtinë ishte shndërruar në Ambasadë sot 17 vjet, më 8 prill 2008, një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Aty thuhet se ky akt “shënoi fillimin e një kapitulli të ri në partneritetin tonë të fortë dhe të qëndrueshëm”, mes SHBA-së dhe Kosovës.
“A e dinit? Në ditën e sotme, 17 vjet më parë, më 8 prill 2008, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë zyrtarisht Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Ky ndryshim e pasoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara, më 18 shkurt 2008, vetëm një ditë pas deklaratës historike të Kosovës. Shndërrimi i Zyrës së SHBA-së në ambasadë shënoi fillimin e një kapitulli të ri në partneritetin tonë të fortë dhe të qëndrueshëm”, thuhet në tektin shoqërues të historikut të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
Në historikun përmbledhës të marrëdhënieve të SHBA-së me Kosovën kujtohet se ato kanë filluar zyrtarisht në vitin 1996, me hapjen e Zyrës së Shërbimit Informativ të SHBA-së në Prishtinë.
“Shtetet e Bashkuara e hapën për herë të parë Zyrën e Shërbimit Informativ të SHBA-së në Kosovë në vitin 1996. Ndërmjet viteve 1999 dhe 2008, Zyra e SHBA-së në Prishtinë funksiononte si mision diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara vendosën zyrtarisht marrëdhënie diplomatike me Kosovën dhe Zyra u shndërrua në ambasadë. Në shtator 2012, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan partnerëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për njohjen e progresit të madh që kishte arritur Kosova, duke përfshirë përmbushjen e zotimeve të saj për të zbatuar dispozitat e mishëruara në planin e të dërguarit të posaçëm Ahtisaari dhe duke i përfshirë ato në legjislacionin e Kosovës, duke shpallur kështu fundin e pavarësisë së mbikëqyrur dhe shpërbërjen e Zyrës Civile Ndërkombëtare.
Prej vitit 1999, Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar me trupa në Forcën e udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), të ngarkuar për mbajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar gjithashtu me staf në Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) që nga vendosja e tij në 2008, gjë që shënon herën e parë të pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në një mision të përbashkët të BE-së për Siguri dhe Mbrojtje.
Qeveria e SHBA-së ka investuar rreth 2 miliardë dollarë në Kosovë prej vitit 1999, kurse më 4 korrik 2019 u vendos në ndërtesën e sapondërtuar shumë milionëshe të Ambasadës, të ndërtuar në një hapësirë prej 12.4 hektarësh, në lagjen Arbëria të Prishtinës, të rrethuar nga një kompleks ndërtesash të ndryshme eklektike, me lartësi dhe destinime të ndryshme.
Ndërtesa e Ambasadës së SHBA-së paraqet jo vetëm platformën diplomatike të qeverisë së SHBA-së, por e avancon misionin e saj duke u bërë ekzemplar i sigurisë, qëndrueshmërisë dhe teknologjisë së avancuar të arkitekturës, inxhinierisë dhe dizajnit urban amerikan”, thuhet në historikun e publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Hostoriku shoqërohet me një foto nga ceremonia e hapjes së Zyrës së Shërbimit Informativ të SHBA-së në Prishtinë në vitin 1996.
Në ceremoninë e zbulimit të tabelës dhe ngritjes së flamurit të SHBA-së, e cila u bë nga kongresmeni Eliot Engël, diplomati Larry Rosin dhe Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, morën pjesë qindra qytetarë shqiptarë, pavarësisht masave ekstreme shtërnguese të policisë serbe.
(r.m.)