Sarajevë, 12 prill 2023 – Ambasada amerikane në Sarajevë tha të martën se Shtetet e Bashkuara nuk do të rrinë duarkryq nëse udhëheqësi i Republikës Serbe, Milorad Dodik provon të nxisë një tjetër konflikt në Bosnje e Hercegovinë.
Në një komunikatë të kësaj ambasade thuhet se retorika separatiste e Milorad Dodikut dhe kërcënimet për t’u shkëputur nga Bosnja dhe Hercegovina janë kundër marrëveshjes së Daytonit, janë të papërgjegjshme, të rrezikshme dhe të dëmshme për integrimin e Bosnjës në institucionet euro-atlantike.
Milorad Dodik’s separatist rhetoric and threats to secede from Bosnia and Herzegovina are anti-Dayton, irresponsible, dangerous, and detrimental to the integration of BiH into Euro-Atlantic institutions. Read our statement here ⬇️https://t.co/usL6mL8uqE
— US Embassy Sarajevo (@USEmbassySJJ) April 11, 2023
“Sipas kushtetutës së Bosnjës e Hercegovinës një entitet apo ndonjë njësi tjetër nënshtetërore nuk ka të drejtë të shkëputet dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë boshe nëse Milorad Dodik vepron për të ndezur një tjetër konflikt në Bosnje e Hercegovinë”, thuhet në komunikatë në të cilën nënvizohet se Shtetet e Bashkuara, ashtu siç kanë bërë për gati 30 vjet, do të veprojnë për të mbrojtur tërësinë tokësore, sovranitetin dhe karakterin shumetnik të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ambasada thekson se kërcënimet e Milorad Dodikut janë një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet reale me të cilat përballen banorët e Republikës Serbe: fushata e vazhdueshme e qeverisë për të hequr liritë themelore; dështimi për të trajtuar rritjen e çmimeve të ushqimit, strehimit dhe transportit; dhe përpjekjet e vazhdueshme për të hipotekuar të ardhmen e Republikës Serbe përmes huamarrjes së papërgjegjshme të qeverisë.
Udhëheqësi i Republikës Serbe, Milorad Dodik ka përsëritur ditëve të fundit kërcënimin se entiteti serb do të shkëputet nga Bosnja. Ditë më parë ai shpalli shkëputjen e marrëdhënieve me ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Qeveria e tij tha se do ta shpallë vepër penale “shpifjen”, do të miratojë ligjin mbi agjentët e huaj si dhe qasjen e pjesëtarëve të komunitetit LGBT në institucionet arsimore të këtij entiteti.
Të martën. Milorad Dodiku. i cili gëzon mbështetjen e Moskës, tha se do të kërkojë edhe shkëputjen e bashkëpunimit me NATO-n.
“Sa i përket kërcënimit të Milorad Dodikut se do të ndërpresë bashkëpunimin me NATO-n, do t’i kujtojmë se Ligji për Mbrojtjen i vitit 2005 i detyron autoritetet e nivelit shtetëror të kryejnë veprimtaritë e nevojshme për anëtarësimin e Bosnjës e Hercegovinës në NATO. Kjo përfshin mbështetjen e një partneriteti dhe bashkëpunimi të fortë me NATO-n. Milorad Dodik nuk ka autoritet për të pezulluar ose ndryshuar në mënyrë të njëanshme këtë apo ndonjë ligj tjetër”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.
Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri qendrore në Sarajevë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u shohin veprimet e Milorad Dodikut dhe kërcënimet e tij për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina, si të rrezikshme për paqen në vend dhe në rajon.
Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dhjetëra persona në Bosnjë dhe Hercegovinë përfshirë presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, “për veprimtari korruptive” dhe “kërcënim të vazhdueshëm ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës dhe Hercegovinës”.
(Zëri i Amerikës)