Tiranë, 25 maj 2022 – Ambasada e SHBA në Shqipëri ka njoftuar shtetasit e saj që jetojnë në Tiranë që të shmangin sot zonat më të popullura, për shkak të finales së “Conference League” që do të luhet sot në stadiumin “Air Albania”.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të ambasadës, personeli dhe qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin zonën rreth stadiumit dhe qendrën e Tiranës, për shkak të turmave të mëdha të tifozëve që mund të shkaktojnë trazira.
Thirrja vjen pas përplasjeve të tifozëve të Romës dhe tizosëve të Feyenordit me policinë në disa vende në Tiranë.
Ndeshja Roma – Feyenord fillon në orën 21:00.
Postimi i plotë i ambasadës së SHBA-së:
Të mërkurën, më 25 maj 2022, do të zhvillohet finalja e UEFA Europa Conference League ndërmjet skuadrave të Romës (Itali) dhe Feyenoord (Holandë) në Arenën Kombëtare të Tiranës, “Air Albania Stadium”.
Qeveria shqiptare ka shpallur një festë publike në Tiranë më 25 maj. Autoritetet kanë njoftuar se rrugët e shumta që hyjnë dhe dalin nga qyteti do të jenë të hapura vetëm për mjetet e urgjencës. Rrugët e shumta në qendër të qytetit, pranë stadiumit dhe në të gjithë Bllokun do të jenë të mbyllura për qarkullimin e automjeteve. Ju lutemi konsultoni faqen e mëposhtme të internetit për hartat e Policisë së Shtetit të Shqipërisë që tregojnë mbyllje të rrugëve:
https://www.asp.gov.al/policia-e-shtetit-publikon-harten-e-qarkullimit-te-automjeteve-dhe-qytetareve-gjate-eventit-sportiv-te-dates-25-maj/
Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit.
Ambasada e SHBA-së këshillon fuqimisht qytetarët amerikanë dhe personelin e Ambasadës Amerikane që të shmangin qendrën e Tiranës dhe zonën e Stadiumit të mërkurën më 25 maj. Për shkak të turmave të mëdha që priten në Tiranë, ju lutemi të tregoni kujdes në të gjithë qytetin dhe të jeni të vetëdijshëm për rrethinën tuaj.
(r.m.)