Prishtinë, 13 janar 2022 – Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka reaguar lidhur me konkursin Këshillit Prokurorial të Kosovës për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kjo ambasadë, përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar befasuese shpalljen e konkursit, pasi ajo i ishte në pritje të përgjigjes së Këshillit Prokurorial për mbështetjen e procesit të rekrutimit të kandidatëve për kryeprokuror.
“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në njoftimin e KPK-së thuhet se ky vendim është marrë duke u bazuar në Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe të kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës.
Sipas kësaj rregullorje, konkursi për Kryeprokuror shpallet së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit në detyrë.
Mandati 7-vjeçar i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, do të përfundojë më 21 prill 2022.
Në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit Prokurorial të Kosovës është themeluar edhe paneli për vlerësimin e kandidatëve që dotë aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
(r.m.)