Ambasada e Francës në Kosovë: Macron nuk ka kërkuar pezullim të vizave për Kosovën

Prishtinë, 18 tetor 2023 – Ambasada e Francës në Kosovë ka sqaruar deklaratën e Presidentit francez, Emanule Macron, në lidhje me liberalizimine vizave për Kosovën, në Tiranë.

Në një përgjigje për mediet në Kosovë, ambasada ka shpjeguar se Presidenti Macron ka vënë theksin më shumë në kërkimin e përgjegjësisë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për sulmin e grupit të armatosur në Banjskë, më 24 shtator.

“Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq: të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”, thuhet në përgjigjen e ambasadës franceze.

“Ne duam që sulmi i 24 shtatorit të ndriçohet plotësisht dhe autorët e tij të dalin para drejtësisë”, thekson ambasada.

Ajo shpjegon se Presidenti Macron ka kërkuar nga pala kosovare angazhim për riorganizimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore, ndërsa nga pala serbe ka kërkuar pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe kthimin e tyre në institucionet e Kosovës.

“Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve, dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Aty shpjegohet gjithashtu se Presidenti Macron nuk ka folur për pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, por vizat i ka përmendur në kontekst të nevojës për të mbajtur premtimet e palëve se do të zbaojnë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, të hartuar në bazë të planit gjermano-francez.

“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Francës në Kosovë.

Më 17 tetor, në Tiranë, Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ndër të tjera, deklaroi:

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato {vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. Kurse sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, u shpreh ai.

Kjo deklaratë, e cila u fuqizua më shumë nga kryemninistri i Shqipërisë, Edi Rama, shkaktoi huti, por edhe reagime të forta në Kosovë, sidomos nga opozita, e cila e përdori si mjet për të akuzuar kryeministrin Albin Kurti.

(r.m.)