Ambasada e Kosovës në Londër do të vendoset në vilën e komedianit Spike Milligan

Londër, 10 prill 2023 – Kosova po e zhvendos ambasadën e saj në Londër në një rezidencë prej 6.5 milionë funtesh në Hyde Park, dikur në pronësi të komedianit Spike Milligan, shkruan The Telegraph.

Marrëveshja për blerjen e rezidensës në Bayswater është arritur nga ambasadori i Kosovës, Ilir Kapiti.

Milligan dhe shkrimtari i tij Eric Sykes e blenë këtë pronë prej 5.697 metrash katrorë në vitin 1962, dhe e bënë seli të kooperativës së tyre të komedisë “Associated London Scripts”.

Rezidenca, e cila është ndërtuar në vitet 1890, ndodhet në njërën nga zonat më të kërkuara të ambasadave. Ajo i ka disa dhoma të mëdha me tavane të larta, në katin e parë.

Stafi i ambasadës së Kosovës synon të zhvendoset në ndërtesë pasi të përfundojë rinovimi i saj. Punimet i janë besuar “Beauchamp Estates”.

“Kjo shtëpi e madhe qyteti ka një histori të gjatë të përdorimit edhe si zyra edhe si hapësirë banimi, gjë që e bën të logjikshëm transformimin e saj në ambasadë”, ka thënë drejtori i kompanisë, Gary Hersham.

“Hapësira e bollshme dhe vendndodhja e shkëlqyeshme, në hyrje të Hyde Parkut dhe vetëm disa minuta vozitje deri në Buckingham Place, e bëjnë atë një vend të përsosur për një mision diplomatik”, ka thënë ai.

Ambasada e Kosovës në Londër nuk i është përgjigjur interesimit të gazetës për këtë temë.

(r.m.)