Ambasada e Kosovës në Uashington vendoset në një lokacion të ri

Uashington, 24 maj 2023 – Ambasada e Kosovës në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashington D.C., njofton se është vendosur në njëlokacion të ri.

“Kemi kënaqësinë të njoftojmë se Ambasada e Republikës së Kosovës në SHBA është zhvendosur në një lokacion të ri. Tash e tutje, mund të na gjeni në 3612 Massachusetts Ave NW, Washington, D.C. 20007”, thuhet në njoftimin e ambasadës në Twitter.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Marrëdhëniet diplomatike janë vendosur më 18 shkurt 2008, vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kurse Kosova e ka hapur Ambasadën e saj në Washington D.C. në tetor të vitit 2008

Misioni i Ambasadës së Kosovës në Uashington është promovimi i Kosovës në SHBA dhe forcimi i marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore e të tjera të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHBA ështnë partner strategjik i Kosovës. SHBA ka qenë mbështetësi kryesor i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci. Prej përfundimit të luftës, më 1999, e deri më sot SHBA qenë faktori kryesor për paqen e sigurinë në Kosovë, si edhe mbështetësi më i madh i procesit të shtetndërtimit në Kosovë.

SHBA, krahas mbështetjes në të gjitha fushat, është fuqimisht e angazhuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, që konsiderohet si faktor shumë i rëndësishëm për paqen e stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Uashingtoni është shumë i zëshëm në kërkesën që marrëveshja përfundimtare midis Kosovës e Serbisë të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë të  dy vendeve.

(r.m.)