Tiranë, 9 qershor 2021 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri e ka quajtur mjet jetik drejt integrimit të Shqipërisë në strukturat evropiane dhe euro-atlantike urdhrin ekzekutiv të presidentit amerikan, Joe Biden për bllokimin e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në SHBA të personave që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor.
Ambasada amerikane në Tiranë reagoi në Facebook, duke thënë se vendimi i presidentit Biden është “një referencë e qartë për Shqipërinë, bën të qartë se urdhri ekzekutiv është në përputhje me punën që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë për të integruar rajonin në strukturat evropiane dhe euro-atlantike”.
“Presidenti Joe Biden miratoi një urdhër ekzekutiv të ri dje, i cili autorizon përdorimin e sanksioneve kundër personave të përfshirë në një sërë aktivitetesh destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, përfshirë personat e angazhuar në përpjekje që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal; cenojnë proceset demokratike dhe përfshihen në korrupsion në lidhje me rajonin ndër aktivitete të tjera”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përmes një urdhri ekzekutiv ka paraparë bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Urdhri është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, mirëpo tani janë paraparë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike
Urdhri fillestar ekzekutiv i vitit 2001 nga ish-presidenti amerikan George W. Bush, pas luftërave në Ballkan, parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe kërcënonte stabilitetin në rajon.
Ky urdhër është rinovuar çdo vit që atëherë nga presidentët amerikanë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se SHBA-ja është e përkushtuar për të promovuar demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në përputhje me standardet që këto vende duhet të plotësojnë për të shënuar përparim në rrugën e tyre evropiane.
Blinken ka thënë se ky urdhër është një mjet thelbësor “drejt arritjes së këtij qëllimi të përbashkët”.
(Gresa Kraja,REL)