Tiranë, 21 shtator 2023 – Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar lidhur me përplasjet brenda Partisë Demokratike për pozitën e kreut të grupit parlamentar.
Ambasada ka thënë se nuk është roli i saj të zgjedhë se kush i udhëheq partitë politike, por ka bërë të qartë se qëndrimi i SHBA-së ndaj personave që janë shpallur “non grata” nuk ka ndryshuar. Ajo u ka bwrw thirrje aktorëve politikw që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me “figura të tilla politike”.
“Nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe i nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla”, thuhet në një prononcim të Ambasadës Amerikane për News24.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshirë opozitën, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme”, thekson Ambasada e SHBA-së në Tiranë.
Reagimi i plotë:
Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme.
Shtetet e Bashkuara takohen rregullisht me komisionet parlamentare në lidhje me legjislacionin kyç, të tillë si ai për Avokatin e Popullit, i cili luan një rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi.
Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush i udhëheq partitë politike në Shqipëri.
Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla.
(r.m.)