Ambasada e SHBA-së paralajmëron rrezikun e një sulmi terrorist në Moskë

Moskë, 8 mars 2024 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Rusi i ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që të shmangin tubimet e mëdha në Moskë, për shkak se ekstremistët kanë plane për të kryer një sulm.

Ambasada nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me natyrën e kërcënimit, por u ka rekomanduar shtetasve amerikanë që të shmangin turmat gjatë 48 orëve të ardhshme.

“Ambasada po i monitoron raportimet se ekstremistët kanë plane të afërta për të shënjestruar tubime të mëdha në Moskë, përfshirë koncertet, prandaj shtetasit amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha gjatë 48 orëve të ardhshme”, thuhet në deklaratë.

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës e ka shkaktuar krizën më të thellë në raportet midis Rusisë dhe Perëndimit që nga Kriza e Kubës e vitit 1962. Kremlini ka thënë se raportet me Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë kurrë më të këqija, për shkak se SHBA-ja po lufton kundër Rusisë duke e mbështetur Ukrainën me para, me armë dhe me informacione.

Presidenti rus, Vlaidmir Putin, ka thënë se Perëndimi rrezikon të provokojë një luftë bërthamore, nëse dërgon trupa për të luftuar në Ukrainë.

(r.m.)