Moskë, 28 shtator 2022 – Ambasada amerikane në Moskë u bëri thirrje shtetasve amerikane të mos udhëtojnë për në Rusi, apo atyre që ndodhen aktualisht atje, të largohen menjëherë. Njoftimi duket se përqendrohet kryesisht tek qytetarët me shtetësi të dyfishtë, ruse dhe amerikane.
Ambasada paralajmëron se Moska mund të mos e njohë shtetësinë amerikane për ata që kanë dy-shtetësi, dhe t’i rekrutojë ata për shërbim ushtarak. Rusia ka nisur prej 21 shtatorit një mobilizim të pjesshëm në mbështetje të luftës në Ukrainë.
Ambasada kujton se aktualisht mundësitë për fluturimeve komerciale janë jashtëzakonisht të kufizuara dhe shpesh nuk janë të disponueshme brenda një kohe të shkurtër.
Po kështu në njoftim u kërkohet shtetasve amerikanë të mos marrin pjesë në protesta politike, apo sociale duke kujtuar se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shprehjes në Rusi nuk janë të garantuara. Në njoftim bëhet e ditur se autoritetet ruse kanë arrestuar shtetas amerikanë që kanë marrë pjesë në demonstrata.
(Zëri i Amerikës)