Ambasada SHBA-së përgëzon palët e përfshira në Programin e Kompaktit të MCC-së

Prishtinë, 5 korrik 2022 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përgëzuar palët e përfshira në partneritetin e Programit të Kompaktit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Ambasada thekson se përmes këtij partneriteti pritet transformimi energjetik i Kosovës.

“Urime të gjithë të përfshirëve në ndërmarrjen e këtij hapi të rëndësishëm për rritje ekonomike më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për Kosovën. Mezi presim që përmes partneritetit tonë Kompakt të MCC-së të transformojmë sektorin energjetik të Kosovës, gjatë viteve të ardhshme”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

Bordi i drejtorëve të MCC-së, në mbledhjen e tij të fundit, e ka miratuar programin 5-vjecar me vlerë 202 milionë dollarë.

Ky program është projekti më i madh energjetik në Kosovë. Ai parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë dhe të rritjes së efiçensës të energjisë.

Nga ky financim prej 202 milionë dollarësh do të vijë në formë granti, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD).

(r.m.)