Tiranë, 13 prill 2023 – Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendet e Ballkanit janë mbledhur në Tiranë, në atë që është quajtur konferencë e parë e shefave të misioneve dplomatike amerikane në rajon.
Ambasada amerikane në Tiranë bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar për prioritetet rajonale dhe globale, për agresionin rus të Ukrainës, për çështje të energjisë, për forcimin e institucioneve demokratike dhe për luftimin e korrupsionit në vendet e rajonit.
“Diplomatë të nivelit të lartë dhe Ambasadorë të SHBA në rajon u mblodhën në Tiranë për Konferencën e parë të Shefave të Misioneve të Rajonit. Zyrtarët diskutuan përparësitë rajonale dhe globale, përfshirë pushtimin e Ukrainës nga Rusia, mundësitë e energjisë, forcimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit”, thuhet në njoftim.
Përveç nikoqires së takimit, ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, në takim kanë marrrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ambasadori në Serbi, Christopher Hill, i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kroaci, Mark Fleming, ambasadorja në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, ambasadorja në Maqedoni të Veriut, Angela Aggeler, ambasadori në Greqi, George Tsunis, aambasadori në Bullgari, Kenneth Merten dhe ambasadori në Bosnjë e Hercegovinë, Michael Murphy.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përgjegjësi i Qendrës Globale të Angazhimit, James Rubin.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka quajtur këtë takim si një mundësi të mirë për diskutim me homologët e tij në Ballkan.
(r.m.)