Prishtinë, 11 dhjetor 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka dënuar fuqishëm sulmin ndaj një patrulle të EULEX-it që është kryer natën me të shtunës e të dielës në fshatin Rudar të komunës së Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës.
Ambasadori Hovenier, përmes një postimi në Twitter, ka kërkuar që përgjegjësit për këtë sulm të ndëshkohen.
“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, ka shkruar Hovenier.
The U.S. joins #EULEX in strongly condemning the attack on a @EULEXKosovo patrol last night. Violent attacks on Kosovo Police and international security personnel are unacceptable and those responsible must be held accountable through the Kosovan justice system. https://t.co/WZvtW5CE56
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) December 11, 2022
Gjatë ditëve të fundit janë shënuar disa incidente në pjesën veriore të Kosovës. Incidentet nisën të martën me sulme ndaj zyrtarëve të komisioneve komunale të zgjedhjeve në veri dhe me demolimin e zyrave në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Të enjten, më 8 dhjetor, u plagos një zyrtar i Policisë së Kosovës në veri.
Të premten, një serb, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua në bazë të dëshmive se e kishte organizuar sulmin ndaj zyrave të komisioneve komunale tëzgjedhjeve në veri.
Si shenjë proteste, serbët lokalë vendosën barrikada në disa rrugë në pjesën veriore dhe e bllokuan lëvizjen drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe në Bërnjakë. Policia e Kosovës njoftoi për mbylljen e këtyre dy pikëkalimeve.
Një patrullë e EULEX-it u sulmua natën mes të shtunës dhe të dielës në Rudar afër Zveçanit, ku është vendosur bllokada e parë e rrugës.
(r.m.)