Ambasadori amerikan në Beograd e cilëson “domethënëse” nismën “Ballkani i Hapur”

Beograd, 1 shtator 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, e ka cilësuar si “domethënëse” nismën “Ballkani i Hapur”.

“Është shumë mirë të shohësh kryeministrin e Shqipërisë, presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut së bashku. Është shumë domethënëse. Jam shumë i inkurajuar nga ajo që shoh”, ka thënë Hill, në panairin e verërave në Beograd, i cili është organizuar në prag të takimit të radhës të liderëve të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që do të mbahet në Beograd.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e nismës “Mini-Shengeni ballkanik”, e cila ishte prezantuar në Novi Sad të Serbisë, më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e këtyre tri shteteve.

Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk i janë bashkuar kësaj nisme.

Ambasadori Hill ka thënë se shpreson që edhe vendet tjera të rajonit t’i bashkohen nismës në të ardhmen. Sipas tij, sa më shumë vende të marrin pjesë në këtë iniciativë rajonale aq më mirë do të jetë për to.

“Në fund të fundit, kjo është një mënyrë për të përcaktuar format e bashkëpunimit dhe për t’i përgatitur të gjitha këto vende që të jenë më të gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë mes tjerash ambasadori Hill.

Nisma rajonale “Ballkani i Hapur”, sipas nismëtarëve të saj, synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në mbarë rajonin.

Në kuadër të kësaj nisme, deri më tani, janë nënshkruar disa marrëveshje që kanë objektiv lehtësimin e lëvizjes mes shteteve të rajonit.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur përkrahje për këtë nismë, por kanë theksuar se ajo mund të jetë e suksesshme nëse në të përfshihen të gjitha shtetet.

(r.m.)