Strategjia serbo-centriste e Perëndimit, tha ai, prodhoi efektin e kundërt në rajon
Ambasadori Blerim Reka, drejtues i Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York, ishte ftuar si ligjërues për temën “Kosova dhe Ballkani Perëndimor” nga organizata e shquar “Foreign Policy Association”.
Shoqata luan një rol të rëndësishëm në edukimin e opinionit amerikan të politikës së jashtme dhe të sigurisë dhe veprimtaritë e saj rregullisht ndiqen nga një publik elitar ish-diplomatësh, ushtarakësh, ekspertësh e personalitete të lidhura me marrëdhëniet ndërkombëtare, në New York.
Pjesëmarrja e diplomatëve tanë në këto veprimtari është shumë e rëndësishme për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe kthejlltësimin e qendrimeve zyrtare të republikës në punët e jashtme e sidomos për edukimin e opinionit publik amerikan e ndërkombëtar për gjendjen në rajonin e Ballkanit.
Me këtë rast Ambasadori Blerim Reka botoi mesazhin që vijon në rrjetet sociale:
I nderuar të isha mbrëmë, folësi i ftuar në Foreign Policy Association of CP në temën: “Kosova dhe Ballkani Perëndimor”.
Në praninë e rreth 100 ish diplomatëve, ushtarakëve e ekspertëve gjeopolitik amerikanë, fola për qasjen e gabuar ndërkombëtare të tolerimit të Serbisë për ta tërhequr drejt perëndimit.
Strategjia e tillë Serbia-centriste, prodhoi efektin e kundërt: Serbia kurrë më shumë nuk ka qenë në lindje, e Rusia, Kina e Irani kurrë më shumë brenda Serbisë.
Mungon vetëm edhe Korea e Veriut që Beogradi të kompletojë të qenit pjesë e regjimeve autoritare lindore.
Agresioni i fundit i Serbisë kundër Kosovës me kërcënimet edhe kundër Bosnjes e Hercegovinës dhe Malit të Zi, vetëm vërtetojnë se pa demilitarizimin e plotë të Serbisë, nuk ka paqe në Ballkan.
Serbia nuk ka ndryshuar, por është e njejta: si ajo monarkiste, si komunistja, si “post-komunistja”.
Gjithmonë hegjemoniste.