Amsterdam, 2 mars 2023 – Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar pas deklaratës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se është gati të negociojë planin e zbatimit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian, por nuk do ta nënshkruaj atë.
Bosch ka thënë se Vuçiqi po e tregon “fytyrën e tij të vërtetë” dhe ka shfaqur shpresën se Bashkimi Evropian tani do të ushtrojë presion real ndaj regjimit të Vuçiqit.
“Vuçiq tregon fytyrën e tij të vërtetë! Asnjë lëvizje përsëri në shesh. Shpresoj tani të ketë presion real mbi regjimin e tij [në Serbi] pasi tani përsëri shuhen pothuajse të gjitha shpresat. Këtë herë ata nuk duhet të trajtohen përsëri me doreza mëndafshi, por duhet të kenë frikë nga më e keqja, duke parë përvojën e kaluar”, ka shkruar ambasadori Bosch në Facebook.
Ambasadori Bosch i ka bërë këto komente duke komentuar artikullin e Euractiv “Serbia tërhiqet nga sinjalet pozitive ndaj propozimit të BE-së për Kosovën”.
Ambasadori holandez Robert Bosch ka qenë njëri ndër mbështetësit më të mëdhenj të shtetndërtimit dhe zhvillimit në Kosovë. Ai mbahet mend për deklaratat e tij shumë të drejtpërdrejta dhe për gjuhën pothuajse të zhveshur nga petku diplomatik.
(r.m.)