Beograd, 20 gusht 2023 – Ambasadori britanik në Serbi, Edward Ferguson, ka thënë se arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë nuk është e lehtë, por palët duhet ta kuptojnë realitetin dhe të gjejnë një zgjidhje me kompromis.
“Është e qartë se nuk ka zgjidhje të lehtë për çështjen e Kosovës, por në fund të fundit palët do të duhet të gjejnë zgjidhje të vështira dhe të jenë të gatishme për kompromise”, ka thënë ambasadori Ferguson për gazetën serbe “Kurir”.
Ferguson ka thënë se të dy palët duhet të vihen në pozitën e palës tjetër dhe të pranojnë realitetin të tillë çfarë është.
“Për popullin e Kosovës kjo do të thotë të pranojë se Serbia ka një shqetësim legjitim për sigurinë e komunitetit serb në veri të Kosovës dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe. Ndërkaq për qytetarët në Serbi, kjo do të thotë të pranojnë se Kosova është shtëpia e 1.7 milionë shqiptarëve që nuk duan të jenë pjesë e Serbisë”, është shprehur Ferguson.
“Me mirëkuptim mund të ketë besim dhe me besim mund të ketë kompromis”, ka theksuar ai.
Ambasadori britanik në Beograd e ka cilësuar si shumë serioze situatën në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka thënë se pas Marrëveshjes verbale të Brukselit pritej ulje e tensioneve, por ndodhi e kundërta.
“Të gjithë shpresonim se tani do tëë shihnim disa hapa pozitivë konkretë përpara që do të ndihmonin për uljen e tensioneve midis Serbisë e Kosovës. Në vend të kësaj pamë vetëm rritje të tensioneve”, ka thënë ai.
“Ata që janë përgjegjës për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi, dhe qeveritë në Beograd dhe në Prishtinë duhet të punojnë më shumë për qetësimin e situatës”, ka theksuar Ferguson, transmeton “Danas”.
(r.m.)